Kryeministri Kurti në Mynih takohet me deputetë të Bundestagut

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, mbrëmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale dhe Unionit Demokristian.

Sic bën të ditur Zyra e Kryeministrit, Kurti citohet të ketë thënë gjatë takimit se Gjermania është një vend mik dhe aleate në marrëdhënie bilaterale dhe në integrimin Evropian të Kosovës.

“Kryeministri nënvizoi performancën ekonomike, përparimin demokratik, progresin e digjitalizimit të shërbimeve, politikat sociale në shërbim të qytetarëve, suksesin në luftimin e korrupsionit, si veçori që e kanë përshkuar vendin tonë në dy vitet e fundit” – thuhet në njoftim.

Kurti po ashtu, i ka njoftuar deputetët gjermanë që Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat sipas Kurtit, shumë shpejtë pritet të ratifikohen edhe në Kuvend.

“Në takim u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – thuhet në fund të komunikatës.

Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Konferencën për Siguri që po mbahet në Munih të Gjermanisë. Gjatë ditës së djeshme Kurti ka zhvilluar takime të shumta atje, ku është takuar edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti takohet me Borrellin dhe Lajçakun, flasin për propozimin evropian dhe takimin e radhës me Vuçiqin