FOTO: Screenshot Benjamin Netanyahu /Facebook.

Kryeministri i Izraelit poston video te bombardimeve

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka publikuar në Facebook një video të bombardimeve.

Në postimin e tij ai ka shkruar “Kemi filluar. Izraeli do të fitojë”.

Ndër të tjera, Netanyahu gjithashtu është zotuar se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” me luftën e shtetit të tij kundër grupit militant palestinez, Hamas, përderisa ushtria e tij po vazhdon ta sulmojë nga ajri Rripin e Gazës.

Mëngjesin e 7 tetorit militantët e Hamasit hynë në qytete dhe komunitete në jug të Izraelit, teksa nga Gaza u lëshuan breshëri raketash në territorin e Izraelit.

Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme intensive ajrore në Rripin e Gazës, i cili që nga viti 2007 kontrollohet nga Hamasi.

Izraeli shpalli gjendjen e luftës të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.

Nga kjo zonë lufte u evakuuan shtetas të ndryshëm nga mbarë bota, e në mesin e tyre pati edhe shtetas të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Kosovës.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit” – ka thënë MPJD.

Tutje është thënë se në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’u ofruar zgjidhje.