Kriza me energji, LDK ia propozon qeverisë një plan 10 pikësh

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur një plan me 10 pika për të tejkaluar krizën me energji elektrike.

Përmes një njoftimi për media, LDK bëri thirrje që ekzekutivi kosovar të marrë parasysh propozimin e kësaj parie, i cili, sipas tyre është shpëtues për qytetarët.

“Si pasojë e keqmenaxhimit të qeverisë po bien edhe blloqet e KEK-ut në mënyrë të vazhdueshme, me ç’rast po bie edhe mirëqenia e qytetarëve deri në limitet e mbijetesës. Ende pa u rregulluar Blloku A5, bie Blloku A3, duke bërë kështu që KEK-u të mos prodhojë as gjysmën e kapacitetit të tij, ku 530 MWh janë jashtë prodhimit. Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Qeverisë që të pranoj planin tonë dhjetëpikësh dhe t’i shpëtoj qytetarët, sepse me qasjen e saj të deritanishme po e shpien vendin drejt katastrofës energjetike” – thuhet në njoftim të LDK-së.

“Mos të harrojmë se këto reduktime të energjisë elektrike po ndodhin në pikë të verës, gjersa ditët më të ftohta po vijnë. Ndërkaq, bazuar në paaftësinë e dëshmuar të kësaj Qeverie, pritet të zgjatet edhe orari i reduktimeve” – vijon njoftimi.

Këto janë 10 pikat e propozuara të LDK-së:

  1. Pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion euro për çmimin e energjisë elektrike.
  2. Riparimi i Bllokut A5 i Termocentralit Kosova A.
  3. Krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët.
  4. Përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë.
  5. Negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji.
  6. Zbritja e TVSH-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë.
  7. Krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset.
  8. Largimi i tarifave diskriminuese të ZRrE-së.
  9. Themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.
  10. Përgatitja e Strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative.