Kritikat ndaj Qeverisë, PDK nuk ka pasur takim me partitë tjera opozitare

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konfirmuar se nuk ka zhvilluar ndonjë takim me partitë tjera opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

I pyetur nga KALLXO.com, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media nga oborri i Kuvendit, tha se nuk kanë pasur ende takim në lidhje me situatën politike dhe nga pandemia, pas kritikave që këto subjekte i kanë bërë Qeverisë.

“Nuk kemi pasur takim ende, mirëpo pa dyshim qe ne si parti opozitare presim bashkëpunim të mirëfilltë pra në kuadër të agjendë sonë parlamentare si opozitë. Dhe ne në parim mund të them që do të mbështesim iniciativat e njëra-tjetrës në këto procese mjaft të rëndësishme sepse në fund të fundit jemi në këtë Parlament që përfaqësojmë interesant e qytetarëve”, tha ai.

Tahiri shtoi se presin mbështetje nga partitë tjera opozitare.

“Çdo iniciativë e cila i shkon për shtati interesave të qytetarëve, padyshim presim mbështetje nga dy partitë tjera opozitare dhe natyrisht që edhe ne do t’i mbështesim ato”, shtoi ai.

Përveç PDK, Qeverinë Kurti sot e ka kritikuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku ka deklaruar se marrja e Kurtit me zgjedhje e protesta në Shqipëri, në kohën sa dhjetëra persona në javë vdesin nga COVID-19, sipas tij tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.