Krimet ekonomike nisin hetimet për konkursin në Trepçë

Më 24 shtator të vitit të kaluar, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në Trepçë u hap një konkurs për pranimin e më shumë se 200 punëtorëve.

Por, pasi u kryen procedurat u shfaqën pakënaqësi ndaj këtij konkursi.

Për dhjetë ditë me radhë, banorët e rrethinës së Bajgorës protestuan pranë menaxhmentit të Trepçës.

E pesë protestues dëshmitë për parregullsi në konkurs i kanë paraqitur në Policinë e Kosovës.

Forcat e rendit e kanë konfirmuar për KALLXO.com se kanë nisur hetimet.

“Me datën 13.02.2020 në Drejtorinë Rajonale të Policisë – Mitrovicë me vetiniciativë është paraqitur  një grup prej 5 personave të përzgjedhur nga protestuesit si këshill organizativ. Një anëtar i këshillit protestues  ka dhënë deklaratë në mënyrë vullnetare mbi pretendimet për shkelje lidhur me pranimin e punëtorëve për konkursin e datës 24.09.2019 të Kombinatit Trepça”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Madje, sipas organeve të hetimeve, prokurori i shtetit ka kërkuar që të fillojnë grumbullimet e dëshmive.

“Pas procedimit të deklaratës janë zhvilluar konsultat edhe me Prokurorin e Shtetit  i cili ka kërkuar të mblidhen dëshmitë në këtë drejtim. Policia e Kosovës është duke grumbulluar dëshmi relevante në trajtimin e rastit”, thuhet në fund të përgjigjes së Policisë së Kosovës.

Sonte, emisioni “Jeta në Kosovë” transmeton hulumtimin me fakte mbi konkursin e Trepçës nga ora 21:20 në RTK.

PROMO: Konkursi i kurdisur në Trepçë

Sonte nga ora 21:20 në RTK, “Jeta në Kosovë” transmeton hulumtimin për konkursin e kurdisur në “Trepçë”. Si u futën familjarët e politikanëve në lista dhe çfarë thonë kandidatët e pakënaqur?

Publiée par Emisioni Jeta në Kosovë sur Jeudi 27 février 2020

KALLXO.com raportoi gjatë javës së kaluar sesi një “gabim teknik” bëri që një person edhe pse nuk e kaloi testin me shkrim doli i pari në listën e të pranuarave.

Qeveria Emëron Kundërligjshëm Anëtarë të Bordit të ‘Trepçës’