Ilustrim

Vala e punësimeve në prag të zgjedhjeve, 220 vende të reja të punës në Trepçë

Shoqëria Aksionare “Trepça” ka njoftuar se ka hapur 220 vende të reja të punës.

Konkursi është bërë publik para disa minutave në ueb-faqen e Trepçës.

Në prodhim Trepça ka kërkuar 150 punëtorë. 120 pozita janë kërkuar për të punuar në prodhim në Stantërg dhe 30 pozita tjera në Artanë.

2 pozita të tjera janë kërkuar në Stantërg, për pozitat Inxhinier i Elektroenergjetikës, 6 pozita tjera për Elektricist të Energjetikës, e të tjera.

Drejtori i Trepçës, Basri Ibrahimi në një bisedë për KALLXO.com thotë se ky konkurs nuk lidhet aspak me fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ibrahimi thotë se këta punëtorë do të pranohen pas zgjedhjeve, dhe jo para zgjedhjeve.

“Na nuk po i pranojmë para fushatës, sikur t’i kishim pranu para fushatës, kish mujtë me pas spekulim se po blihen votë. Unë prej që jam ardhë në Trepçë kam pas kërkesë për rritje të numrit të punëtorëve”, thotë ai.

“Asnjëherë, kurrë një jetë s’kam funksionu me këtë mentalitet. Mua nuk më interesojnë partitë politike”, shtoi Ibrahimi.

Drejtori i ri Trepçës, thotë se askush nuk do të guxoj ta thërras në telefon. I pyetur nëse do të ndajë me mediat dhe shoqërinë civile, nëse do të ketë presion nga politikanët për punësimet, Ibrahimi thotë se do i bëjë publike.

“E ndaj me mediat, nëse dikush më telefon. Edhe po të garantoj që askush nuk guxon me më thirrë hiç. Unë kam punuar në inspektorat, i kam punu 150 punishte. Edhe atëherë më kanë thanë që kanë me të ardhë politikanë, ama e dini që asnjë nuk është lëshu. Unë jam i njëjti njeri. Unë kam ardhë në Trepçë me ngritë, nëse s’mundem jap dorëheqje”, tha për KALLXO.com, drejtori Basri Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se nuk ka të bëjë asgjë hapja e konkursit, me situatën zgjedhore në të cilën gjendet Kosova.

Sipas tij, nevoja për punëtorë në Trepçë dhe në minierat tjera është me madhe se kaq.

“Punëtorë në Trepçë nevojitet edhe ma shumë se kaq. Arsyeja pse s’ka prodhim më shumë është numri i punëtorëve të moshuar, numri i punëtorëve që kanë dal në pension”, tha tutje Ibrahimi.

KALLXO.com ka shkruar në të kaluarën se si Bordi i Trepçës ishte emëruar kundërligjshëm, pasi njerëz të lidhur me politikën ishin emëruar anëtarë të këtij Bordi.

Qeveria Emëron Kundërligjshëm Anëtarë të Bordit të ‘Trepçës’

Këtu mund ta gjeni njoftimin për hapjen e 220 vendeve të reja të punës.