Konkursi në Trepçë: Dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës u punësohen familjarët

Dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Trepçës, Esat Peci dhe Shyqeri Sadikut, u janë pranuar familjarët në konkursin e fundit në ndërmarrjen publike.

Esat Peci, që tani është anëtar i Bordit Mbikëqyrës në Trepçë, ka qenë edhe ish-asamblist nga AAK- në Mitrovicë. Pecit i është punësuar djali i axhës, Adnan Peci.

Ai ka mohuar se ka ndikuar që t’i punësohet familjari në konkursin e fundit në Trepçë.

““Unë nuk kam asnjë lidhje me konkurs, as nuk e kam caktu konkursin e as nuk kam lidhje me këtë rast. Adnanin (Peci), e kam djalë të mixhës. Bordi mbikëqyrës nuk i përzihet në punë bordit menaxhues, është komplet punë dhe detyrë e bordit menaxhues e jo e bordit mbikëqyrës. Unë nuk kam mujtë me i thanë Adnanit as kërkujt se unë jam në Trepçë e ju mos aplikoni, se Mitrovica e ka vetëm këtë burim të punësimit”, ka thënë për emisionin “Jeta në Kosovë” Esat Peci.

Ndikimin për punësim e ka mohuar edhe vetë Adan Peci. Ai, madje tha se sugjerimi i Esatit ka qenë që mos të aplikojë fare në konkurs.

““Ne jemi familjarë, nuk kam kontakte me të, ai nuk banon hiç këtu dhe konkursi ka qenë publik, i kam pasur pikët aty. Esati më ka thënë mos konkurro, por ne e kemi veç Trepçën edhe kam apliku. Nuk kam fare kontakt me të, jemi pa punë e kam provu fatin”, ka thënë ai në një bisedë të shkurtër.

Ende pa u transmetuar emisioni, Esat Peci, ish-asamblist i AAK-së në Mitrovicë, ka reaguar me anë të një telefonate.

Ai ka thënë se ka qenë në AAK mirëpo më nuk është.

“Unë kam qenë por më nuk jam në struktura të AAK-së, nuk jam njeri i kësaj partie. Jam kanë, por më nuk jam”, ka thënë Esat Peci.

“Jeni të pasinqertë, ju bëni çfarë të doni. Ju po paragjykoni që unë e kam pranuar në punë atë djalë”, ka thënë ai.

Në konkursin e 24 shtatorit të vitit të kaluar, është punësuar edhe Fitim Xhafa, tezaku i Shyqeri Sadikut, anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Trepçës.

Edhe Sadiku e ka mohuar se ka ndikuar në punësimin e tezakut në konkursin e fundit në ndërmarrjen e Trepçës.

“Po, Fitim Xhafa është tezaku im. Realisht, jo një tezak po gjashtë kanë konkurru, por veç ky është pranu, po s’kam lidhje absolutisht me këtë punë. Unë jam anëtar i Bordit që i përfaqësoj interesat e punëtoreve, unë nuk kam pas asnjë ndikim në punësimin e Fitimit”, ka thënë ai në një bisedë përmes telefonit.

Ndërsa, edhe Fitim Xhafa e ka mohuar ndikimin. Sipas tij, pyetjet në intervistë e pyetjet në test i ka ditur të gjitha.

“Jo valla, absolutisht nuk ka ndikuar (Shyqeriu) me u punësu. Kam hy në konkurs, qato pyetje për mua janë kanë amatoreske, i kam kuptu dhe i kam ditë krejt. As nuk i kam thanë Shyqeriut me më punësu, bëhu i bindur që nuk i kam thanë”, ka thënë ai.

Ndaj konkursit i cili është shpallur vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, kanë protestuar për 10 ditë radhazi banoret e rajonit të Shalës së Bajgorës.

Protestuesit kanë thënë se nuk do të ndalin protestën deri në plotësimin e kërkesave që janë, anulimi i konkursit të 24 shtatorit dhe shkarkimi i menaxhmetit në Trepçë.

Përveç kësaj, hulumtimi zbulon edhe lidhjet familjare të dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të cilëve u janë punësuar familjaret në konkursin i cili u shpall më 24 shtator të vitit të kaluar, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme.

Pas ankesave të protestuesve, Krimet Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë filluar të hetojnë konkursin.

Qeveria Emëron Kundërligjshëm Anëtarë të Bordit të ‘Trepçës’