Katër persona u pranuan në punë në Trepçë pa hyrë fare në test

Katër persona janë shfaqur në listat përfundimtare që i ka publikuar ndërmarrja Trepça nga konkursi i 24 shtatorit por të njëjtit nuk kanë figuruar në listat e rezultatit të testit me shkrim.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” i transmetuar të enjten zbulon se tre prej tyre janë punësuar në Flotacionin Tuneli i Parë ndërsa një tjetër në Minierën e Artanës.

Kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Basri Ibrahimi, ka thënë se këto mund të jenë gabime teknike, të cilat do të përmirësohen.

“Nëse kanë apliku dhe pastaj kanë mujtë me u përvishë edhe me dal emra të caktuar, jo me dal si përfitues, ai sigurisht që nuk do të del, por që me dal me u përvjedhë në listë, kjo mund të jetë sepse janë kanë 1 mijë e 700 vetë që kanë apliku”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka premtuar se, nëse do të gjendën lëshime dhe gabime teknike, do të ndërmerren masa.

“Të gjithë këta emra ne do t’i verifikojmë, nëse ka pasur gabime të tilla, ne do të shohim se çka u bë. Nëse ka pasur ndonjë gabim teknik gjatë publikimit dhe mbledhjes së pikëve, do rregullohen”, ka thënë ai.

Ndaj konkursit i cili është shpallur vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, kanë protestuar për 10 ditë radhazi banoret e rajonit të Shalës së Bajgorës.

Protestuesit kanë thënë se nuk do të ndalin protestën deri në plotësimin e kërkesave që janë, anulimi i konkursit të 24 shtatorit dhe shkarkimi i menaxhmetit në Trepçë.

Përveç kësaj, hulumtimi zbulon edhe lidhjet familjare të dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të cilëve u janë punësuar familjaret në konkursin i cili u shpall më 24 shtator të vitit të kaluar, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme.

Pas ankesave të protestuesve, Krimet Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë filluar të hetojnë konkursin.

Qeveria Emëron Kundërligjshëm Anëtarë të Bordit të ‘Trepçës’