Ilustrim

Krimet ekonomike arrestojnë një të dyshuar për falsifikim të dokumenteve të një kompanie

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Në njoftim bëhet e ditur se, hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), nga një ankues kanë pranuar informatën se persona të dyshuar përmes dokumenteve të falsifikuara të paraqitura në Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij, i kanë bartur pronësinë dhe aksionet e kompanisë te një person tjetër.

Policia thotë se, vlera e aksioneve, apo kapitali i kësaj kompanie sipas ankuesit është disa milionë euro.

“Policia në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr veprime hetimore, janë siguruar prova dhe dëshmi të dokumenteve të falsifikuara siç janë: një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontrate për falje të aksioneve, me të cilat është bërë edhe ndryshimi i pronësisë dhe aksionarit të këtij biznesi”- thuhet në komunikatë.

Lidhur me rastin Policia njofton se është intervistuar i dyshuari M.A në prezencë të avokatit mbrojtës.

Pas përfundimit dhe sigurimit të provave dhe dëshmive është iniciuar rasti ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe  me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.