Krasniqi nga Bashkësia Islame uron qytetarët për festën e Fitër Bajramit
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot në vizitën e tij në Bashkësinë Islame të Kosovës është takuar me Myftiun e Kosovës Naim Tërrnava.
Krasniqi ju ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bajramit.
“Kisha kënaqësinë që sot bashkë me kolegët nga PDK të vijë këtu në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të uruar myftiun Tërrnava, bashkëpunëtorët e tij dhe përmes tyre gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë për festën e madhe të Fitër Bajramit”, ka uruar Krasniqi.
Ai tha se kjo festë shënon kulmiancionin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe përkushtimin dhe durmin njerëzor ndaj sprovave e lakmisë.
“Është një festë e cila shënon kulminacionin e një muaji të shenjtë, muajit të Ramazanit, kulminacionin e përkushtimit njerëzor dhe durimit njerëzor ndaj sprovave, ndaj lakmisë. Është një moment i rëndësishëm i cili në traditën tonë fetare dhë kombëtare gjithmonë është shënuar me bashkimin rreth sofrës së përbashkët duke i dhënë vlerë familjes”, tha kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin shembull dhe inspirim nga kjo festë për t’u bërë më bujarë e më tolerantë ndaj njëri- tjetrit.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin shembull dhe inspirim nga kjo festë e rëndësishme për t’u bërë edhe më bujarë edhe më të hapur edhe më tolerantë dhe mirëbesues me njëri- tjetrin me rrethin e tyre dhe gjithë qytetarët”, u shpreh ai.
Tutje, Krasniqi ka theksuar punën e Bashkësisë Islame në kuadër të ndihmave ndaj familjeve të cila janë në vështirësi ekonomike.
“Shpreha mirënjohjen për Bashkësinë Islame dhe punën e tyre që bëjnë në vazhdimësi në kuadër të ndihmave ndaj familjeve të cilat janë në vështirësi ekonomike. Ju uroj edhe njëherë të gjithë qytetarëve të besimit islam, me fat Fitër Bajrami, paçit shëndet dhe gëzime të gjithë në familjet e juaja”, shtoi ai.
Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit.