Mbyllet xhamia në Halabak të Podujevës pas përleshjes së mbrëmshme
Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht xhaminë në fshatin Halabak të Podujevës, pas përleshjes që ka ndodhur mbrëmë në atë xhami.
Përmes një komunikate për media, Bashkësia Islame në Podujevë ka thënë se ditë më parë kishin lëshuar autorizim për kryerjen e riteve fetare, deri në një vendim i cili do të ishte unifikues për banorët e atij fshati.
“Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër.Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim sa më unifikues” – thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje rreth orës 18:45 në fshatin Halabak të Podujevës ka ndodhur një përleshje.
Sipas Policisë, në momentin kur imami i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës ka shkuar në xhaminë e fshatit për kryerjen e riteve fetare, katër persona nuk janë pajtuar me imamin dhe e kanë penguar atë.
Pastaj, sipas Policisë, tre të dyshuar që aktualisht ndodhen në arrati, nuk kanë lejuar që të sulmohet hoxha dhe gjatë kësaj kohe njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka sulmuar me kondak të revolës njërin nga katër viktimat, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Përleshje në një xhami në Podujevë