Foto: Nezir Kraki, Facebook

Kraki për deklaratën e Macron për liberalizimin e vizave: Nuk ka mekanizëm që ia mundëson Francës pezullimin e një vendimi që është ligj i BE-së

Profesori i politikave europiane në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë sot në Tiranë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, e cila në bazë të përkthimit u interpretua sikur Franca ka pezulluar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kraki ka thënë se nuk ekziston asnjë mekanizëm që ia mundëson Francës pezullimin e vendimit për vizat.

Sipas tij, deklarimi i presidentit Macron për këtë çështje është absurd.

“Është totalisht e patakt dhe absurde deklarata e presidentit francez. Unë kam respekt për të por deklarata ishte e pavend. Nuk ekziston asnjë mekanizëm sot për sot që ia mundëson një vendi si Franca të kthehet prapa dhe ta pezullojë një vendim që është ligj për BE-në. Ajo qe deklaroi presidenti i Francës në Tiranë, është absurd, nuk e di kush ka qenë ai talent që ia ka pëshpëritë atë ide, më atë synimin që me shantazhu Kosovën sikurse Franca dhe BE kanë harru që Kosova nuk është vendi që kërcënon”- u shpreh Kraki përmes një video të publikuar në profilin e tij në Facebook.

Megjithatë, Kraki tha se Franca mund “të bëhet” si Spanja në këtë aspekt.

“Franca mund të dalë në mënyrë unilaterle nga kombinacioni që është arritur në mënyrë unanime. Mund të dalë nga ai kombinim, të bëhet si Spanja, me deklaru se nuk i pranojmë kosovarët në territorin tonë” – shtoi ai.

Ndërsa, deklaratën e presidentit Macron ai e ka komentuar si goditje të ulët pas samitit të Procesit të Berlinit, ku u fol për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit.

“Është goditje shumë e ulët, goditje dëshpëruese, pas një samiti ku u fol për investime miliardëshe, dhe të nesërmen me thënë që për çështje politike është mirë me i blloku qytetarët e Kosovës. Unë u zhgënjeva nga Franca, dhe e njollosi vizitën”- tha Kraki.

Një deklaratë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e thënë të martën në Tiranë, ka ngjallur debat në opinionin publik lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ne mediat vendore dhe ndërkombëtare, gjatë ditës, kanë qarkulluar disa versione të deklaratës së tij.