KOSTT: Humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë 11 milionë euro

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë rreth 11 milionë euro.

“Aktualisht, obligimet financiare të KOSTT për humbjet e shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës janë afër 11 milionë euro” – ka thënë Elvane Devexhi-Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT për KALLXO.com.

Sipas saj, në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.

“Të gjitha imbalancet/devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv përfshirë devijimet për shkak të veriut paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E”, ka theksuar ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Ekonomisë, për të marrë përgjigje nëse është planifikuar ndarje të buxhetit për t’i mbuluar shpenzimet e rrymës në veri, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Derisa në vitin 2021 humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike e shpenzuar por jo e paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri kanë arritur shumën mbi 40 milionë euro vetëm në vitin 2021. Më tej ata kanë treguar se nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT-it sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Kjo ka bërë që bilanci i suksesit të KOSTT-it të jetë negativ, me humbje rreth 25 milionë euro.

Në fillim të vitit 2021, KOSTT ishte ankuar te Zyra e Rregullatorit për Energji se pagesat që është duke i bërë për enegjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës janë duke e çuar drejt falimentimit.

Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanollli, pati thënë se shuma prej 40 milionë euro do të përmbush obligimet e KOSTT-it deri në nëntor të vitit 2022, e më pas pagesa e rrymës të bëhej nga vetë qytetarët siç parashihej me udhërrëfyesin për energjinë.

“Vlera e ndarë parasheh që të përmbushën detyrimet deri në momentin kur i kalon afati udhërrëfyesit dhe jo më tej”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Mirëpo udhërrëfyesi për energjinë, nuk ka filluar zbatimin ende, dhe barra për pagesë vazhdon t’i faturohet KOSTT-it. Ishte paraparë që brenda 100 ditëve nga nënshkrimi i udhërrëfyesit të fillojë pagesa e faturave të rrymës nga qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri, por kanë kaluar 175 ditë nga nënshkrimi dhe ende nuk janë zbatuar as gjysma e pikave të udhërrëfyesit. Pesë nga 9 pikat që ka paraparë udhërrefyesi nuk janë zbatuar ende. Ndërsa, pika një dhe pika katër janë zbatuar plotësisht, pika dy dhe pika tre janë zbatuar pjesërisht.

Në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë më 8 gusht 2022, kryemnistri Kurti ishte pyetur se nëse dështon zbatimi i marrëveshjes së arritur për energji, a është e detyruar përsëri Kosova të paguajë për rrymën e shpenzuar dhe jo të paguar në veri.

“Ne nuk kemi mundësi të paguajmë në vjeshtën e vonë dhe dimrin që vjen rrymën e konsumuar ne veri, andaj duhet që, pa kurrfarë dileme, sa më parë, qysh dje, të zbatohet dakordimi që kemi arritur” – kishte deklaruar kryeministri i Kosovës në intervistën e dhënë për Radio Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor kanë arritur një dakordim për zbatimin për marrëveshjen e energjisë të vitit 2013.

Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri.

Por edhe pas kanë kaluar 175 ditë, faturimi nuk ka filluar, sepse nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.