Kosova shpall non-grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se dy persona, zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, janë shpallur non-grata nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kjo për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Vendimi është nxjerrë sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe në të njëjtën kohë janë njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.

E para e vendit tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të ShBA-ve, NATO-s, dhe BE-së”, ka thënë ajo.

Në fund, Osmani tha se institucionet e vendit do të veprojnë sa herë që cenohet siguria kombëtare.

“I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”, thuhet në fund të njoftimit.