Ilustrim

Kosova nuk e bleu asnjë dozë vaksine për COVID-19

Në buxhetin e vitit 2021 Qeveria e Kosovës ka miratuar 40 milionë euro për qëllim të blerjes së vaksinave, por vaksinat ende janë duke vazhduar të merren vetëm donacion nga partnerët ndërkombëtar.

Kosova është vendi i fundit në Evropë i furnizuar me vaksinën kundër COVID-19.

Më 28.03.2021 arriti kontingjenti i parë me 24 mijë vaksina “AstraZeneca”, kundër coronavirusit, donacion nga UNICEF i programit COVAX nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Donacionet për vaksinat kundër coronavirusit vazhduan, kësaj radhe nga shteti austriak. Dje Kosova ka pranuar edhe 4,680 mijë vaksina “Pfizer/BioNtech” për vaksinimin e stafit shëndetësor, të cilët nuk kanë arritur të vaksinohen nga kontingjenti i parë i vaksinave “AstraZeneca”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka treguar se javën e ardhshme Kosova pritet të furnizohet përsëri me vaksinën “AstraZeneca” e dedikuar kundër coronavirusit.

Më 15 janar 2021 Kosova po ashtu pranoi donacion frigoriferët nga granti i Bankës Botërore për mirëmbajtje të vaksinave që mundëson një temperaturë deri në – 86 grad Celsius.

Nga muaji mars 2020 deri në muajin prill 2021, Kosova ka pranuar rreth 46 donacione të ndryshme për pandeminë SARS-CoV-2, sipas të dhënave të shpërndara në webfaqen e MSh-së.
Në mesin e donacioneve janë edhe kitet e testimeve për COVID-19, më 11.06.2020 Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka pranuar 15 mijë kite  – testime donacion.

Çka thotë Ministria e Shëndetësisë për këtë?

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com thotë se 40 milionë eurot e ndara për blerjen e vaksinave, do të jenë financim nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe se këto para ende nuk janë shpenzuar.

“Këto 40 milionë euro janë të planifikuara të jenë financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, rrjedhimisht Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës në vlerë prej 25 milionë eurove dhe Banka Botërore me 15 milionë eurove. Pra, ende nuk janë shpenzuar këto linja buxhetore, mirëpo priten që të shfrytëzohen për blerjen e vaksinës”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa sa i përket mosblerjes së vaksinave, MSh thotë se prodhuesit e vaksinave nuk janë kontaktuar me kohë nga Qeveria e kaluar.

“Dy nga prodhuesit në fillim ishin deklaruar se në rend para Kosovës janë shtete tjera për furnizim me vaksina sepse negocimi kishte ndodhur qysh më herët”, thuhet në njoftim.

MSh po ashtu sqaron se vaksinat blihen vetëm nga prodhuesit dhe në rastin e Kosovës prodhuesit duhet të jenë të aprovuar nga EPA dhe FDA dhe se negocimi nuk varet e gjithë nga ministria.

“Në këtë fazë, negocimi me të nuk është çështje që varet e gjitha nga ne, e më shumë varet nga prodhuesit, përkatësisht nga sasia që kanë në dispozicion për momentin qoftë për shkak të kapaciteteve prodhuese qoftë për shkak të obligimeve që kanë ndaj shteteve tjera që kanë filluar negociatat që më herët”, thuhet tutje.
Nga sot stafi shëndetësor do të mund të vaksinohen me vaksinën Pfizer/BioNtech, vaksinë kundër coronavirusit. Vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Varhelyi: Kosova do t’i pranoj rreth 100 mijë vaksina nga Pfizer/BionNtech