Kosova nis përdorimin e plazmës nga pacientët e shëruar te pacientët me COVID-19

Personat që tashmë kanë kaluar virusin COVID-19 dhe kanë fituar mjaftueshëm antitrupa mund ta dhurojnë plazmën për pacientët të cilët janë duke u përballur me këtë virus.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka nënshkruar sot udhëzuesin për trajtim me plazmë rikuperuese të pacientëve me COVID-19 si terapi mbështetëse.

Sipas Zemajt, Qendra për Transfuzionin e Gjakut do ta grumbullojë gjakun e personave që tashmë e kanë kaluar COVID-19.

“Qendra për Transfuzion do të grumbulloj gjakun e personave që kanë kaluar COVID-19 dhe që kanë krijuar antitrupa të mjaftueshëm për çka besoj që qytetarët do të përgjigjen pozitivisht. Institucionet e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë Klinikën Infektive së bashku me institucionet e kujdesit shëndetësor në të cilat janë të hospitalizuar pacientët me COVID-19, sipas indikacioneve do të bëjnë zbatimin e trajtimit me plazmë kovaleshente”, ka shkruar Zemaj.

Ministria e Shëndetësisë kishte formuar në tetor të vitit 2020, grupin punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për kujdes lidhur me trajtimin me plazmë të gjakut, pasi ka thënë se ky trajtim është i një “cilësie të dobët”.

Në Kosovë, trajtimi për personat e infektuar me coronavirus po vazhdon të jetë si terapi mbështetëse dhe përfshin dhënien e vitaminave të ndryshme, trajtimi me okigjenoterapi dhe me ilaçe antipiretike dhe analgjetike.

Kosova bëhet gati të trajtojë me plazmën e gjakut pacientët me COVID-19