Ilustrim

Kosova nis procedurat për përdorimin e plazmës te pacientët me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka formuar sot edhe Grupin punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të lëmive gjegjëse.

Ky është një hap para për fuqizimin e menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit Covid-19.

Gjithashtu ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka nënshkruar sot aprovimin edhe të dy udhërrëfyesve të ri klinik: Udhërrëfyesin për diagnostikimin dhe menaxhimin e Tuberkulozit ekstrapulmonar dhe Udhërrëfyesin klinik për Menaxhimin e Infeksionit Latent të Tuberkulozit.

Sipas ministrisë, këta udhërrëfyes do t’u shërbejnë profesionistëve të tre niveleve të kujdesit shëndetësor që të bëjnë menaxhimin më të mirë të infeksioneve me tuberkuloz, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi.

Në komunikatën e MSh thuhet që, prej fillimit të hartimit të Udhërrëfyesve dhe Protokolleve Klinike, MSh ka hartuar dhe aprovuar gjithsej 8 udhërrëfyes klinik, ndërsa vetëm gjatë mandatit të Ministrit Zemaj janë hartuar dhe aprovuar 11 udhërrëfyes klinik.