Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Kosnett: Mohimi i masakrave është gabim por fjala nuk duhet të kriminalizohet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka komentuar mohimin që Presidenti i Serbisë i ka bërë Masakrës së Reçakut.

I ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kosnett tha se nuk ka vend për mohimin e ngjarjeve në Reçak.

“Së pari, masakra e Reçakut është fakt historik. Nuk ka asnjë dyshim, ka pasur shumë vëzhgues të pavarur, gazetarë, Uilliam Ualker, të cilët kanë dëshmuar që ajo ka qenë një masakër e tmerrshme. Dhe është e vërtetë. Kushdo që e mohon këtë është gabim i madh. Është revizionizëm historik dhe është i padobishëm, do të mund të përdorja edhe mbiemra të tjerë për ta përshkruar këtë, por po e lë me kaq”, tha ai.

Megjithatë, sipas ambasadorit, politika amerikane është e kujdesshme për të mos e konsideruar krim fjalën e askujt.

“Por, si një amerikan, mua më duhet të them që ne jemi shumë të kujdesshëm rreth kriminalizimit të lirisë së shprehjes. Sipas legjislacionit në Amerikë, ne u kemi lënë shumë liri njerëzve që të flasin, madje edhe nëse ajo që thonë është e gabuar, fyese apo ofenduese. Gjithmonë po flas sipas legjislacionit në Shtetet e Bashkuara, ne mendojmë që duhet të jetë një prag shumë i lartë për ta bërë të folurit vepër penale”, theksoi ambasadori.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiq para gazetarëve, raporton b92.

Pas kësaj deklarate të Vuqiq ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepen për masakrën e Reçakut.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: