Foto: Ilustrim

KOSID falënderon deputetët që nisën hetimin mbi hidrocentralet në Kosovë

Dje, Kuvendi i Kosovës formoi Komisionin Hetimor Parlamentar për Procesin e Licensimit, Operimit, Mbikëqyrjes dhe Operimit për Leje të Hidrocentraleve.

Pas votimit me 75 vota për, Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka falënderuar deputetët por edhe qytetarët për aktivizmin që kanë treguar.

“Ka disa vite që KOSID (përmes anëtarëve të vet) ka raportuar e ngritur zërin për degradimin e lumenjëve që po bëhet në disa vende të Kosovës duke i shkaktuar dëm edhe popullatës lokale edhe natyrës që na rrethon. Andaj na vjen mirë që dje, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u formua Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, funksionimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e KOSID në Facebook.

KOSID ka theksuar se lejet të cilat u janë dhënë hidrocentraleve në territorin e Kosovës e kanë dëmtuar natyrën në përgjithësi e në veçanti lumenjtë.

“Hidrocentralet e vogla (nga të cilat Republika e Kosovës ka 14) ose të tjera (21 të cilat janë në faza të ndryshme të ndërtimit) ku ndërmarrje të ndryshme kanë “marrë” leje për ndërtimin e këtyre projekteve ambicioze kanë hasur në pakënaqësi nga banorët lokalë të cilët janë ndikuar nga këto hidrocentrale. Ambientalistët dhe Ekonomistët gjithashtu kanë ngritur një numër shqetësimesh që perfitimi ekonomik i këtyre hidrocentraleve nuk vlen përkundrejt dëmtimit të mjedisit dhe dëmit që këto projekte po i shkaktojnë aktiviteteve bujqësore të fermerëve në atë zonë”, thuhet tutje në postimin e Konsorciumit.

KALLXO.com ka publikuar disa hulumtime në lidhje me operimin e hidrocentraleve në Kosovë, që nga ndikimi i tyre në ambient e deri te operimi i tyre pa leje.Artikujt mbi hidrocentralet mund t’i gjeni në këtë link.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.