Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Komisioni Hetimor për shërbyesit e jashtëm të MPJD-së nuk themelohet në mungesë kuorumi

Vetëm 29 deputetë kanë votuar pro Komionit Hetimor Parlamentar në lidhje me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Pro këtij komisioni kanë votuar vetëm deputetët e opozitës, përderisa ata të pozitës nuk kanë marrë fare pjesë në votim.

Kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se nuk do të marrin pjesë në votim dhe se nuk do prezantojnë emra që do të ishin pjesëmarrës në këtë komision.

“Ne nuk marrim pjese ne votim dhe nuk prezantojmë emra. Presim javën tjetër kur ministrja Gërvalla është prezente në sallë dhe atëherë LVV merr pjesë dhe prezanton emra”- tha Kusari Lila.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë dhënë propozimet e tyre për këtë komision. Kryesuese është propozuar të jetë Time Kadriaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; zëvendëskryesuese, Ariana Musliu-Shoshi nga PDK, ndërsa anëtarë: Hisen Berisha (PDK), Rrezarta Krasniqi dhe Vlora Dumoshi nga LDK dhe Duda Balje nga Grupi multientik.

Shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri kur propozoi themelimin e këtij Komisioni në fund të javës së parë të shkurtit, e arsyetoi duke thënë që kanë informata që ka edhe persona të tjerë të cilëve ujanë dhënë kontrata të ngjashme si ajo e Gani Jakupit.

“Pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik e po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët, si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë”- tha Tahiri.

Seanca është përshkuar me polemika të ashpra mes deputetëve opozitarë dhe atyre që përfaqësojnë partinë në pushtet.

Të dy palët kanë hedhura akuza për përshirje të njerëve të afërt me politikanët në misione diplomatike.

Në mungesë të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwartz, ka folur ministri i Bujqësisë, Faton Peci, duke thënë se qendrimi i ministres është që të mos flas për skandalet që kanë ndodhur në shërbimin diplomatik në të kaluarën, sepse nuk dëshiron ta dëmtoj interesin e shtetit.

Ai ka deklaruar se nëse zbardhen të bëmat e së kaluarës atëherë “do të mbahej mbledhje në KS të OKB-së”, me kërkesë të atyre që ai i ka quajtur armiq.

Nga Ministria kishin thënë për KALLXO.com që gjatë periudhës kohore 2022/2023 në Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë konsulentë të jashtëm të angazhuar për çështje kulturore dhe mediatike, përpos Gani Jakupit.

Ndërkaq, edhe pse KALLXO.com ka dërguar pyetje nëse ka kontrata tjera pas dhjetori, pavarësisht këmbënguljes akoma nuk ka marrë përgjigjje.

Më 27 dhjetor KALLXO.com kishte arritur që përmes rrugës ligjore të marrë qasje në kontratën e Gani Jakupit, pas kërkesave të shumta për ta pasur këtë kontatë për të cilën e dërgoi rastin edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Kontrata është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.Çmimi i plotë i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.