Kontrollet e ATK-së, disa punëtorë të padeklaruar hasen në një biznes në Ferizaj

Për rreth dy vite KALLXO.com ka nisur të inkurajojë qytetarët që të denoncojnë bizneset të cilat nuk i kanë të deklaruar punëtoret e tyre në Administratën Tatimore të Kosovës dhe të njëjtit i mbajnë pa kontrata të punës.

Sipas Ligjit të punës çdo punëdhënës duhet të lidhë kontratë pune me punëtorin e tij në të cilën ai duhet t’i specifikojë detyrat e punës, pushimet, pagën, pagesën e kontributeve pensionale dhe çështje të tjera të cilat burojnë nga marrëdhënia e punës.

Një biznes në rajonin e Ferizajt është denoncuar se mban disa punëtorë pa kontrata të punës.

Biznesi sipas raportimit të verifikuar paraprakisht mban në punë rreth 40 punëtorë ndërsa disa prej tyre janë të padeklaruar.

Si zakonisht informacioni i KALLXO.com është bartur tek zyrtarët përgjegjës në ATK.

Fadil Gashi, njëri nga inspektorët me përvojë në ATK, gjatë aksionit ka pasur për detyrë të verifikojë proceduralisht që biznesi nuk ka kontrata të punës.

Pak minuta pas takimit në zyret e ATK-së, zyrtarët janë nisur për kontrolle, për të verifikuar secilin informacion të marrë nga denoncuesit.

Një biznes me rreth 40 puntorë është denoncuar se nuk i respekton normat ligjore për t’i regjistruar puntorët dhe për t’i paguar tatimet. Ekipi i inspektorëve që janë caktuar për të kryer kontrollet kanë dalë në terren për të konfirmuar çdo informacion.

Pasi i mblodhën dokumentet e nevojshme në vendpunishte, inspektorët u takuan me udhëheqësit e biznesit.

Pas diskutimeve për punëtoret dhe mbledhjes së dokumentacionit inspektoret përfunduan kontrollin dhe u nisën për në zyrën e ATK-së për të bërë verifikimin e deklarimeve të biznesit me dokumentet e mbledhura në terren.

Verifikimi i Inspektorëve konstatoi atë për të cilën ishte raportuar në KALLXO.com, në këtë biznes u has në parregullsi, pasi nuk i kishin të deklaruar të gjithë punëtorët.

Ankesat e qytetarëve në KALLXO.com deri më tani kanë rezultuar me ndëshkimin e një numri të madh të bizneseve dhe regjistrimin e qindra punëtoreve të sektorit privat.

Deri më tani mbi 30 biznese janë kontrolluar e gjobitur nga ATK dhe Inspektorati i Punës për shkeljet e të drejtave të punëtorëve.