Aksioni i ATK-së: Biletat mujore pa kupon fiskal, ndëshkohen

Ekipi i Drejtësia në Kosovë ka përcjellë aksionin e inspektorëve të ATK-së në rajonin e Gjilanit, të cilët në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë kontrolluar kompanitë e autobusëve nëse lëshojnë, apo jo kuponë fiskal.

Bashkë me ndihmën e Policisë, inspektorët e ATK-së kanë ndaluar disa autobusë në rajonin e Gjilanit.

Në njërën nga linjat e autobusit, disa prej udhëtarëve që ishin të pajisur me bileta mujore, nuk kishin kuponin fiskal.

Sipas inspektores cfarëdo bileta që lëshohen duhet të kenë kuponë fiskal.

“Ata që janë me mujore, duhet të kenë një dëshmi të pagesës”, i drejtohet inspektorja, përcjellësit apo ndarësit të biletave.

“Se kemi ditë këtë deri tash. Kush ka mujore, asnjo kupon fiskal s’kanë”, e njofton ndarësi i biletave, inspektoren e ATK-së.

“S’guxon me i marrë paret e mos me dhanë kuponin fiskal. 8 udhëtarë i ke pa kupona fiskal. Kjo është gjendja e konstatume. Për këto parregullësi, ky raport shkon tek zyra ‘Zgjona’ (Zyra e Gjobave), e ajo vendosë për masën e ndëshkimeve për parregullësi”, e njofton inspektorja përfaqësuesen e ATK-së.