Konjufca: Trungu ynë i lirisë u ujit me gjakun e luftëtarëve të UÇK-së që zhvilloi luftë të drejtë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar qytetarët e vendit për 15 vjetorin e pavarësisë.

Konjufca në fjalën e tij në Kuvend ku po mbahet seancë solemne, tha se ky moment i bashkon të gjithë sepse sipas tij, është pika më e lartë e deri tanishme për shtetësi.

“Ky moment na bashkon të gjithëve sepse është pika më e lartë e deri tanishme për shtetësi, prandaj së pari ju përkulemi atyre që dhanë më së shumti, dëshmorëve tanë të pa vdekshëm që nuk i kursyen jetën e tyre për lirinë e popullit tonë. I kujtojmë e i nderojmë martirët e ndritur, që u flijuan që ne të tjerët të mund të jetojmë, nuk i harrojmë as të pa gjeturit”- tha Konjufca.

Ai shprehi mirënjohje edhe ndaj miqve ndërkombëtarë që kontribuuan për pavarësi.

“Së pari mirënjohje edhe për miqtë tanë që na ndihmuan për pavarësi dhe liri sepse gjithçka që arritëm nuk do të kishte qenë e mundshme pa ndihmën e tyre. Kurrë nuk do ta harrojmë edhe gjenocidin që u bë mi popullin tonë”- theksoi Konjufca.

Kryeparlamentari tha se Kosova është shtet i ri por me rrënjë të moçme, duke shtuar se trungu i lirisë u ujit me gjakun e luftëtarëve të UÇK-së.

“Jemi një shtet i ri por rrënjët i kemi të moçme, këto rrënjë na mbajnë të lidhur e të bashkuar fort. Kështu ecëm përgjatë historisë që për popullin tonë ishte e mbushur me plot rreziqe. E dijmë si rrallë kush çka është vuajtja e sakrifica. Trungu ynë i lirisë u ujit me gjakun e luftëtarëve të UÇK-së e cila zhvilloi luftë të drejtë”- deklaroi Konjufca.

“Do ta ruajmë Republikën tonë si më të vlefshmen që e kemi, do ta zhvillojmë vendin tonë, të bashkuar rreth këtij qëllimi. Urime 17 shkurti, urime dita e shtetit tonë! Rroftë Republika e Kosovës”- përfundoi ai.

Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për nder të pavarësisë

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Nën tingujt e performancës së orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nga të cilët u interpretua himni kombëtar, u hap seanca e Kuvendit.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.