Konjufca për Asociacionin: BE-ja po do me zor t’ia marrë kompetencat Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se e mbështetë idenë e kryeministrit Albin Kurti që ndërmjetësuesi i dialogut, Mirosllav Lajçak, ta dërgojë draft – statutin e Asociacionit në Komisionin e Venecias.

Megjithatë, ai tha se drafti i asociacionit nuk është kompetencë e Bashkimit Europian.

Sipas tij, nëse BE-ja nuk e modifikon ketë qëndrim, tregon që “po do me zor me ja marrë një kompetencë Kosovës.”

“Është një ide [dërgimi i draftit të Lajçakut në Komisionin e Venecias] që edhe unë si kryetar e mbështes. Sa i përket asociacionit e dini që është temë e përfolur në vendin tonë por që nuk mund të merr epilog për shkak të mënyrës i është shtruar nga bashkësia ndërkombëtare. Drafti ka një parregullsi sepse nuk është kompetencë e BE-së. Nëse BE-ja nuk e modifikon këtë qëndrim, atëherë kjo tregon se BE-ja po do me zor me ia marrë një kompetencë Kosovës, kjo mendoj që është pamundshme në relacionet që i kemi me BE-në”- ka thënë ai më 06.06.2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 05.06.2024 teksa ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se Kosova dërgon në Gjykatë Kushtetuese vetëm dokumente vendore.

Ndërsa ka sugjeruar se dokumentet ndërkombëtare si drafti i propozuar nga i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, të dërgohen në Këshill të Europës apo Komision të Venedikut.

“Pesë emisarët kanë sjellë një draft që është draft ndërkombëtar, nuk është vendor. Në Gjykatën Kushtetuese ne dërgojmë dokumente që janë vendore, një dokument që është ndërkombëtar le të shkojë të testohet në instancë ndërkombëtare. Draftin e Lajçakut lirisht le ta dërgojnë te juristët në Këshill të Europës dhe Komision të Venedikut. Dokumentin tim unë e çoj në Gjykatë Kushtetuese”- u shpreh ai në A2 CNN.

Kurti ka thënë se do të shkruante një draft nëse ai i përket Marrëveshjes bazike dhe aneksit të vitit 2023.

Kurti për Asociacionin: Draftin e Lajçakut le ta dërgojnë në Komision të Venedikut, dokumentin tim unë e dërgoj në Gjykatë Kushtetuese