Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca: Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në veri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova nuk mund të kushtëzohet prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje në Kosovë.

Konjufca ka thënë se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk do të shtyhen më shumë se njëherë dhe se kjo çështje ka përfunduar.

“Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që ne të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar, janë shtyrë njëherë me kërkesë të Bashkësisë Ndërkombëtare. Ne kemi marrë garancinë prej tyre që nuk do të shtyhen më shumë se njëherë, kjo ka përfundu si tregim” – ka theksuar Konjufca.

Ai ka folur edhe për qëndrimin e vendeve të QUINT-t që pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit.

“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit, ky ka qenë qëndrim i QUIN-it” – ka thënë Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai tutje ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit, ku edhe ka përmendur qëndrimin destruktiv të Serbisë dhe të presidentit të saj Aleksandar Vuçiq.

“Serbia po mendon që kjo marrëveshje e ka vetëm një kapitull, e ka vetëm Asociacionin, unë mendoj se Asociacioni është kapitulli i fundit i kësaj marrëveshjeje, dhe kështu është në të vërtetë, aty nuk ka as referencë eksplicite të Asociacionit, është vetëm neni 10 ku thuhet që duhet zbatuar marrëveshjet e kaluara, ato që janë të ligjshme” – ka thënë Konjufca.

Dje, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u tha serbëve të Kosovës se zgjedhjet në veri të Kosovës nuk duhet të mbahen derisa të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Vuciq në një takim me serbët e Kosovës të mbajtur dje në Rashkë  ka thënë se kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti përmes zgjedhjeve po mundohet ta pengojë formimin e Asociacionit, raporton RTS.

“Kurti insiston që zgjedhjet të mbahen në veri të Republikës së Kosovës në mënyrë që kryetarët e komunave, në të cilat, partia e Kurtit (LVV) dhe Thaçit (PDK), të marrin pjesë dhe pastaj thonë se ato komuna në veri nuk duan të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave Serbe” – ka thënë Vuciq.

Vuçiq: Kurti përmes zgjedhjeve në veri, po tenton ta pengojë formimin e Asociacionit

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri janë paraparë të mbahen më 23 prill të këtij viti.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.