Urška Klakočar Zupančič dhe Glauk Konjufca

Konjufca: Kemi informacione të sakta se një grup në Serbi po përgatitet për sulm të ri në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologen e tij nga Sllovenia, Urska Klakocar Zupançiq, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që shteti slloven ka treguar për Kosovën.

Në konferencën e përbashkët për media, Konjufca tha se me kryeparlamentaren sllovene, ndër tjera ka folur edhe për shqetësimin e Kosovës si shtet në lidhje me tendencat destabilizuese të  Serbisë.

“Shpreha shqetësimin tonë si popull e si shtet për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë që kulmuan më 24 shtator [në Banjskë], ku Serbia përmes një grupi të armatosur vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy policë të tjerë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u vënë para drejtësisë kryerësit e këtij krimi” – ka thënë Konjufca, më 01.07.2024.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë informacione të sakta që një grup tjetër prej qindra personave po ushtrojnë në Serbi dhe po përgatiten për ndonjë sulm eventual tjetër.

“Derisa ne po flasim, institucionet tona kanë informacione të sakta që një grup tjetër prej qindra personash, sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrojnë, po përgatiten për një sulm eventual që mund ta përjetojmë”, ka deklaruar Konjufca.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletarrestim për të. Përveç, Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Konjufca ka theksuar se Bashkimi Europian dhe zyra e Borrellit, i kanë detajet rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë.

Më tej, ai deklaroi se si institucione qëndrojnë të unifikuar skarshi tri kushteve të kryeministrit Kurti në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Serbia nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje dhe pikërisht mbi bazën e nënshkrimit nuk po e zbaton atë. E dyta çështja e kryekriminelit Radoiçiq që e ka marrë përsipër mbi veten si organizator të sulmit të Banjskës, ai ndodhet i lirë në Serbi dhe është plotësisht i lirë në Serbi, po mbrohet nga Beogradi” – tha ai.

“Letra e Bërnabiq thotë se klauzolat e Marrëveshjes së Brukselit do t’i zgjedhin sipas qejfit që ka Serbia. Unë mendoj që është e papranueshme dhe kjo i ka dhënë goditje të fortë marrëveshjes së Brukselit” – tha Konjfuca.

Kryetarja e parlamentit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq, ka thënë Kosova dëshiron të bëhet anëtare e BE-së dhe se shteti slloven mund t’i ndihmoj këtu Kosovës shumë.

“Dialogu është e vetmja rrugë përpara dhe gjithmonë na tregon qe është i duhur dhe është e rëndësishme që të dyja vendet të jenë të përkushtuara në dialog. Ne do të jemi prezent si pjesë e KFOR-it.. [Njohja e ndërsjelltë] mund të ndihmojë nëse të dyja vendet e njohin njëra-tjetrën dhe do të këtë reciprocitet në njohje. Vendet fqinje mund të përpiqen të ndikojnë këtu, të dyja vendet do të kenë vështirë këtë pa ndihmë të tjerëve” -tha ajo.

Sllovenia e ka njohur Kosovën si shtet në mars të vitit 2008.