Foto: Policia e Kosovës

Konfiskohen 15 krerë kafshë, arratiset i dyshuari për kontrabandë

Tre krerë kafshë pa numër matrikulli e 11 gjedhe dhe një viç që të gjitha pa numër matrikulli por me veshë të shpuara janë konfiskuar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Policia e Kosovës.

Sipas një njoftimi zyrtarë, njësitë e Taskforcës nga Policia Kuftiare në Lindje fillimisht kishin pranuar informacione se nga fshati Tanushë, dy automjete kanë qenë duke kontrabanduar disa kafshë.

Pas informacioneve të pranuara u tha se nga njësitë kompetente policore janë ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren.

“Duke bërë vëzhgimin e rrugëve ilegale, përmes të cilave po kryhej veprimtaria e dyshuar, ku si rezultat rreth orës 20:00 në fshatin Sodovinë e Qerkezve, Viti është identifikuar lokacioni ku po vendoseshin kafshët e kontrabanduara” – ka thënë Policia.

Këto kafshë është njoftuar se po vendoseshin në pronën e të dyshuarit M.J., 32-vjeçar, i cili u tha se dyshohet se me të vërejtur njësitë policore është larguar në drejtim të panjohur.

“Në të njëjtin lokacion janë hasur dy automjete të dyshuara me targa vendore, ku pas kontrollit të tyre në njërin nga mjetet janë gjetur të ngarkuara 3 krerë kafshë pa numër matrikulli, ndërsa në mjetin tjetër pavarësisht që ishte i zbrazur janë vërejtur gjurmë të bartjes së kafshëve” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se po ashtu kontrolli është realizuar edhe në stallën e oborrit, me ç’rast u tha se janë gjetur 11 gjedhe dhe një viç që të gjitha pa numër matrikulli por me veshë të shpuara, ku dyshohet se numrat matrikulues të tyre janë hequr.

Policia ka thënë se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti ‘kontrabandim me mallra’.

Po ashtu për rastin janë njoftuar edhe inspektorët e AUV-it, ku nga ta është lëshuar procesverbal mbi konfiskimin e kafshëve të cilat janë tërhequr dhe janë dërguar në Terminalin Doganor te Dheu i Bardhë.

Foto: Policia e Kosovës