Konferenca për Thaçin dhe të tjerët, ‘Dita e Pavarësisë’ ia ndryshon planet Speciales

Gjykata Speciale konferencën e radhës dhe të fundit përgatitore para nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakupt Krasniqit, fillimisht e caktoi të mbahej më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Këtë plan, ajo e ndryshoi zyrtarisht një ditë më vonë, të enjten, duke e caktuar 15 shkurtin për këtë konferencë përgatitore.

Të mërkurën, Dhomat e Specializuara në Hagë, mbajtën konferencën përgatitore për rastin ku ish-krerët e UÇK-së, Thaçi e të tjerët po akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Në këtë konferencë u morën disa vendime, ndër to edhe data për konferencën e ardhshme përgatitore, meqë si datë për fillimin e shqyrtimit gjyqësor është caktuar 1 marsi.

Në konferencën e djeshme, u caktua fillimisht si datë për mbajtjen  e konferencës përgatitore – 17 shkurti, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo një ditë më vonë, gjykata doli me vendim që këtë konferencë ta mbajë më 15 shkurt.

“Sot, më 19 janar, Trupi Gjykues II, pas konsultimeve të mëtejshme me palët dhe pjesëmarrësit, ndryshoi urdhrin e tij të mëparshëm (gojor) dhe caktoi Konferencën përgatitore të Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 15 shkurt 2023, në orën 09:30” – thuhet në njoftimin e Speciales.

Këtë vit, Kosova do të shënojë 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.