Komuna e Ranillugut

Komuna e Ranillugut, nuk ka plan vjetor për mbështetje financiare për OJQ-të

Komuna e Ranillugut, nuk e ka dërguar në Zyrën e Kryeministrit, Planin Vjetor për subvencionimin e Organizatave Joqeveritare. Kështu ka njoftuar Auditori i Përgjithshëm në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Ranillugut për vitin 2020.

“Ofruesit e mbështetjes financiare përgatisin pjesën e planit vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës dhe të njëjtin ia dërgojnë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti edhe vitin e kaluar kjo komunë kishte rekomandim që ta dërgoj në ZKM Planin Vjetor për subvencionimin e OJQ-ve.

Sipas raportit, zyrtarët komunal nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim për mos përmbushjen e kësaj kërkese.

“Mungesa e planit vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve, paraqet mungesë të informatave së cilat fusha do përkrahen nga komuna, si dhe qëllimet se për çfarë janë të parapara këto mjete”, thuhet në raport.

Auditori ka dhënë rekomandim që kryetari duhet të sigurojë se plani vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve, do të përgatitet dhe dërgohet me kohë në ZKM, duke përcaktuar qartë fondet e parapara për subvencione dhe fushat të cilat do të mbështeten nga komuna.

Për këtë të gjetur është pajtuar edhe komuna.