Komuna e Rahovecit shpërndau sot 300 motokultivatorë që bujqit i prisnin nga viti 2020

Komuna e Rahovecit ka shpërndarë sot 300 motokultivatorë për bujqit e kësaj komune, të cilët këto mjete pune i prisnin që nga viti 2020.

Komuna e Rahovecit përmes një njoftimi tha sot se në shpërndarjen e motokultivatorëve i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi, nënkryetari, Fatmir Iska dhe Berat Duraku, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Pajisjet bujqësore të cilat janë shpërndarë sot janë 300 motokultivatorë. Pra, gjithsej: 300 bujq përfitues, sot kanë pranuar pajisjet e tyre. Në kohën kur kriza ekonomike ka kapluar vendin, siguroj, se Komuna e Rahovecit do të vazhdojë të trajtojë me dinjitet bujkun rahovecas me të vetmin qëllim: ndihmën e vazhdueshme për ta, me mekanizëm për bujqit, e që ndikon drejtpërdrejtë në lehtësimin e punës së tyre, rrjedhimisht, në rritjen e ekonomisë lokale”, tha Latifi.

Sipas Latifit, së shpejti do të shpërndahen edhe pajisje të tjera për bujqit.

KALLXO.com kishte raportuar para 2 muajsh se disa fermerë të komunës së Rahovecit nuk i kishin marrë mekanizmat bujqësorë, që u listuan si përfitues në vitin 2020.

Nga kjo Komunë kishin thënë se ndarjen e kanë bërë në disa faza dhe atë kohë kishin mbetur pa pajisje dhe kanë hapur tenderë në vitin 2021 për furnizim të ri. Por, kjo procedurë kishte përfunduar në duart e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, i cili aktualisht është jofunksional.

Por, ditë më parë, Komuna e Rahovecit kishte nënshkruar kontrata me disa kompani për këtë tender për mekanizma bujqësorë.

Rahovec, disa fermerë ende s`kanë pranuar pajisjet bujqësore nga viti 2020

.