Rahovec, disa fermerë ende s`kanë pranuar pajisjet bujqësore nga viti 2020

Disa fermerë të Komunës së Rahovecit nuk i kanë marrë ende mekanizmat bujqësore, që u listuan si përfitues në vitin 2020. Nga kjo komunë thonë se ndarjen e kanë bërë në disa faza dhe aktualisht kanë mbetur pa pajisje dhe kanë hapur tenderë në vitin 2021 për furnizim të ri. Por, kjo procedurë ka përfunduar në duart e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, i cili aktualisht është jofunksional.

Fermerët e Rahovecit, kanë raportuar në KALLXO.com se që nga viti 2020 kur kanë konfiguruar në listën e përfituesve për subvencionim të mekanizmave bujqësore, ato ende nuk i kanë pranuar.

“Unë personalisht ende se kam marrë motokultivatorin edhe pse kam dal fitues në vitin 2020 prej komunës. Disa fshatarë i kanë marrë, disa jemi në pritje, nuk e di se çka ka ndodhë e as çka ka bërë komuna”, tha njëri prej tyre, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Lista e përfituesve të mekanizmave bujqësorë është shpallur më 26 tetorit të vitit 2020. Nga kjo Thirrje për Mekanizëm Bujqësor pas shqyrtimit të të gjithë aplikacioneve të fermerëve nga komisioni kompetent janë përzgjedhur si përfitues gjithsej 644 fermerë dhe disa të tjerë që komisioni i kishte listuar si listë e pritjes, që në total lista ishte 700 fermerë.

Nga Komuna e Rahovecit kanë bërë të ditur për KALLXO.com se ndarja e mekanizmave bujqësor për të gjithë përfituesit nuk është realizuar, pasi kishte skaduar kontrata me një operator ekonomik për furnizim me këto mekanizma.

“Në kontratat ekzistuese (të vitit 2019) kemi vazhduar me shpërndarje të pajisjeve bujqësore për fermerët, dhe në një moment janë harxhuar kontratat ku nuk kanë pasur mundësi që të gjithë fermerët e përzgjedhur përfitues të pajisen me mekanizmin bujqësor”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga kjo komunë.

Pas kësaj, Komuna e Rahovecit kishte iniciuar në gusht të vitit 2021 procedurat e prokurimit për kontratë të re, por ky tender është bllokuar pasi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili është jo funksional që nga prilli i vitit të kaluar.

“Arsyeja pse nuk janë shpërndarë mekanizmat bujqësor për të gjithë fermerët është se kemi një kontratë të re, ku pas të gjitha fazave të procedurave të prokurimit kemi pasur Operatorët Ekonomik, të cilët kanë fituar të drejtën për të furnizuar me mekanizma bujqësor, por në momentin e nënshkrimit të kontratës në mes komunës së Rahovecit dhe OE fitues njëri nga Operatorët Ekonomik ka dërguar ankesën në OShP për ankimim”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Rahovecit për KALLXO.com.

Komuna shton se në momentin kur të zgjidhet si çështje, janë të gatshëm të procedojnë më tutje me fazën e shpërndarjes së mekanizmave tek fermerët përfitues”.

Thirrje e re – pa posedim të pajisjeve

Edhe pse Komuna e Rahovecit nuk i ka ndarë mekanizmat për përfituesit e shpallur të vitit 2020, komuna kishte hapur edhe një thirrje për Aplikim për përkrahje me Mekanizëm Bujqësor në gusht të vitit 2021.

Për këtë thirrje deri tani lista e përfituesve është përgatitur nga Komisioni Vlerësues , por nuk e kanë publikuar pasi janë në pritje të kontratës së re për furnizim, e cila ka pëfunduar në OShP.

“Kemi iniciuar procedurën për shpallje të tenderit për kontratat e reja të furnizimit me mekanizëm bujqësor ku kemi planifikuar edhe 1150 pajisje tjera për fermerët. Është planifikuar që pajisjet e mbetura të shpërndahen e po ashtu edhe përfituesit e përzgjedhur nga thirrja e re duke e zgjeruar edhe gamën e mekanizmit që ofron komuna e Rahovecit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por edhe për këtë, Komuna thotë se janë në pritje të lidhjes së kontratave duke shpresuar që OShP të nxjerr një vendim pas ankimimit të Operatorëve Ekonomik për këtë tender.

Ndarjet në faza

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi më 4 dhjetor të vitit 2020, kishte bërë të ditur se ka filluar faza e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore për 700 fermerë.

Pas kësaj, më 11 dhjetor të vitit 2020 ishte njoftimi tjetër.

Shpërndarja tjetër është bërë në mars të vitit 2021, por nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë njoftim nga Drejtoria e Bujqësisë për shpërndarje të pajisjeve.