Kurti në Suharekë: Bujqit në Kosovë më të përkrahurit krahasuar me rajonin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot fshatin Sopi të Komunës së Suharekës, ku filluan korrje-shirjet e grurit.
Sipas komunikatës së Kryeministrisë, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Kurti vizitoi fermerin Fazli Beqiraj i cili posedon rreth 60 hektarë grurë.
“U theksua se falë mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, bujqit në Kosovë janë më të përkrahurit, krahasuar me vendet e rajonit. Një hektar me grurë këtë vit subvencionohet me rreth 474 euro, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150 euro për hektarë. Poashtu, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogram, përmes dorëzimit në mullinj”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, kultura e grurit ka një rritje prej 216% të mbështetjes financiare krahasuar me qeverisjet e kaluara.
Qeveria e Kosovës, ka prioritizuar bujqësinë duke rritur përkrahjen deri në 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte, Subvencioneve 2022, u tha gjatë kësaj vizite.
KALLXO.com ka raportuar më 27 qershor në disa furra të Gjilanit, çmimi i një buke që peshon mbi 500 gramë, është rritur nga 50 në 60 centë.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se në Kosovë sivjet sipërfaqja e mbjellë me drithëra është për 33,04 për qind në krahasim me vitin paraprak.
Ministria e Bujqësisë ka kërkuar që të mos ngritët çmimet e bukës dhe produkteve të tjera, për të cilat janë ndarë 52 milionë subvencione nga bujqit.
Nga Shoqata e Mullisëve kanë deklaruar se çmimi i miellit është më lirë se sa para disa kohësh.