Ilustrim
Ministria e Bujqësisë ka ndarë mbi 12 milionë euro subvencione për mbi 8 mijë bujq
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se ka ndarë 12 milionë e 128 mijë euro për subvencione në bujqësi, për 8 mijë e 806 bujq.
Sipas njoftimit të ministrisë, vetëm për sot vlera e proceduar për pagesë është rreth 7 milionë euro, ndërsa numri i bujqve që do të përfitojnë këto mjete, është 5 mijë e 715.
“Duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për këtë sasi, në vlerë prej 0.03 €/kg, MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë të veçantë për të gjithë aplikuesit të kulturës se grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit, bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022”, thuhet në njoftim.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar bujqit se dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi, në komunat përkatëse deri më 2 shtator ora 16:00.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë po vazhdon shtypjen e vendimeve për të tjerë bujq përfitues dhe në momentin e procedimit për pagesë të listës së radhës, do iu mbajmë të informuar” – thuhet në fund të njoftimit.
Pagesat për subvencionet kanë filluar që nga e marta, më 16 gusht 2022.