Kompania “MTS” mori pothuaj të gjithë operatorët kabllorë në zonat serbe në Kosovë
“Telekom Serbija” ka marrë përsipër të gjithë operatorët kabllorë në enklavat serbe në Kosovë, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i “Telekom Serbija”, Vladimir Luçiç, raportojnë mediat në Serbi.
Luçiç ka thënë gjithashtu se “MTS d.o.o”., një degë e “Telekom Serbija”, gjithashtu mori operatorin kabllor “Hertz International” (ish Link) në Kosovë.
“Nga 2,500 përdorues, ne arritëm në 30,000 në dy vjet”, ka thënë ai.
Mediat në Serbi raportojnë gjithashtu se “MTS d.o.o”, është duke negociuar blerjen e operatorëve të mbetur në Kosovë.
“MTS. d.o.o”, është një kompani e regjistruar si filial i “Telekom Srbija” në Kosovë dhe është krijuar si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionet nga viti 2015, shkruajnë mediat në Serbi.
Kjo kompani së pari mori operatorët më të mëdhenj kabllorë në veri të Kosovës – VGN dhe Impuls, në fund të vitit 2019.