Ilustrim

Kompania e mbeturinave në Graçanicë planifikon të marrë dy kamionë me qira për 80 mijë euro

Kompania e mbeturinave në Graçanicë ka planifikuar 80 mijë për marrjen me qira të dy kamionëve për grumbullimin e mbeturinave për një periudhë 2-vjeçare.

Kompania, ‘Natyra’ nga Podujeva është rekomanduar si fituese e këtij tenderi. Sipas njoftimit, një ditë për shërbimin e një kamioni do të paguhet 150 euro ndonëse nuk është specifikuar numri total i ditëve.

N.K.P “Ekologjia” Sh.A (J.K.P “Ekologjia” D.D ) po planifikon të marrë me qira dy kamionë, një kamion plehrash dhe një tjetër për ngritjen e kontejnerëve të mbeturinave.

Për dallim nga kompania në Graçanicë, kompania N.P.L Pastrimi Sh.A në fillim të vitit të kaluar ka planifikuar të blejë kamion për mbeturina në vlerë prej 74 mijë euro. Pra 74 mijë euro për një kamion për mbeturina që do të mbetet në pronësi të kompanisë.

KALLXO.com ka analizuar disa nga tenderët e ngjashëm nga kompani të tjera të së njëjtës fushëveprimtari.

Në fund të vitit 2020, Kompania Rajonale për grumbullimin e mbeturinave, ‘KRM’ Uniteti kishte hapur tender për blerjen e një kamioni për mbledhjen e mbeturinave.

Për këtë kamion, KRM Uniteti kishte planifikuar të shpenzojë 47 mijë euro.

Në prill të këtij viti Kompania Regjionale e Mbeturinave “Çabrati”SH.A. kishte hapur tender për blerjen e një kamioni auto-ngarkues të përdorur. Për këtë kamion auto-ngarkues të përdorur, kompania kishte planifikuar rreth 24 mijë euro.