Komisoni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së fton gjashtë kandidatë për intervistë

Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar në Komisionin e Pavarur të Mediave në mbledhjen e mbajtur më 29.02.2024 ka shqyrtuar listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të KPM-së.

Arbenita Mehmeti, Belkize Berisha-Xhemajli, Armanda Toska, Azra Desiq, Engin Melekoglu dhe Serpin Emrusi- Halce janë ftuar në intervistim më 04.03.2024, në ora 11:00.

Kryetari i Komisionit, Besim Muzaqi bëri të ditur se Kuvendi ka pranuar tetë emra të kandidatëve, katër prej tyre nga komunitetet joshumicë.

“Komisioni ad hoc në bazë të Rregullores së Kuvendit shqyrton listën dhe biografitë e kandidatëve për KPM dhe bën intervistimin. Kuvendi ka pranuar 8 kandidatë, 4 shqiptarë dhe 4 nga komunitetet joshumicë. Aktualisht në KPM janë të përfaqësuar 5 anëtarë dhe sipas Ligjit për KPM-në, ne duhet të zgjedhim edhe kandidatë të gjinisë femërore”- tha Muzaqi.

Sipas tij, kandidatet Arbenita Mehmeti dhe Belkize Berisha- Xhemajli kanë plotësuar të gjitha kriteret, kurse Lumnie Veliu nuk i ka plotësuar kushtet e konkursit.

Administrata e Kuvendit ka shpjeguar se Veliu nuk e ka kopjen e CV-së, letrën motivuese dhe dëshminë e kualifikimit.

“Lumnie Veliu sipas kushteve të konkursit nuk e ka kopjen e CV-së, letrën motivuse, dëshminë e kualifikimit nuk e ka. Nuk i ka plotësu kushtet e konkursit. Në CV-në e saj nuk ka lënë as as numër kontaktues e as e-mail dhe nuk i ka plotësu kushtet e konkursit”- është thënë nga administrata.

Më tej, Muzaqi ka thënë se kandidatja Nora Huseinoviq- Veliu ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara, por se, shtoi se ajo nuk mund të ftohet në intervistim pasi sipas kryetarit të komisionit, kandidatja është bashkëshorte e njërit prej anëtarëve të tanishëm të KPM-së, Fitim Veliut.

“Nora Huseinoviq- Veliu plotëson të gjitha kriteret e parapara. Sipas një informate kjo kandidate është bashkëshorte e një prej anëtarëve të  tanishëm të KPM-së. Prandaj, kandidatja me numër 4 nuk ftohet në intervistim”- konstatoi Muzaqi.

Ndërkaq të gjithë anëtarët e Komisionit ad hoc deklaruan se duhet të respektohet ligji dhe kushtet e konkursit.

Totali i pikëve në intervistim u miratua të jetë 30 pikë. Kundër këtij propozimi ishte Mergim Lushtaku nga PDK-ja i cili propozoi që të vazhdojnë me modelin paraprak, me 100 poenë.

“Besoj që kuotimi ka qenë rregull- 100 pikë maksimale. E kuptoj që është cështje subjektive, besoj që në atë pikë kisha qëndru në versionin e kaluar kur është vlerësuar edhe integriteti. Unë mendoj që ta vazhdojmë versionin që e kemi pasë në bashkëpunim me britanikët”- tha Lushtaku.

Ndërkaq, kohëzgjatja e intervistimit u miratua që të jetë 20 minuta, megjithëse deputeti Lushtaku kërkoi që intervistimi të zgjas së paku 30 minuta.

“Nuk mendoj që është e mjaftueshme me e vlerësu një kandidat për 15 minuta. Nuk besoj që kandidati mundet me prezantu veten. Minimalisht mendoj që duhet të jetë 30 minuta, ka pasë 45 minuta për kandidat tjerë”- u shpreh ai.

Anëtarët e Komisionit ad-hoc do të mblidhen më 04.03.2024 në ora 10:30 për përpilimin e pyetjeve për kandidatët që do të intervistohen.