Komisioni refuzon kandidaturën e Gramoz Vokrrit për të parin e FFK-së
Komisioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të FFK-së, ka vendosur që të pranojë kandidaturën e Agim Ademit dhe ta refuzojë kandidaturën e Gramoz Vokrrit për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Në bazë të njoftimit thuhet se ky komision më 18 mars ka mbajtur një mbledhje ku ka diskutuar për kandidaturat për të parin e FFK-së. Pas shqyrtimit të dokumenteve është parë që Agim Ademi ka 44 nënshkrime ndërsa Gramoz Vokrri 18 sosh.
Nëse bëhen bashkë nënshkrimet e të dy kandidatëve atëherë rezulton se që të dy bashkë kanë 62 nënshkrime, ndërsa numri i delegatëve është 58 duke pasur parasysh që Liga Rajonale e Futbollit të Mitrovicës nuk ka delegat.
Në njoftim po ashtu thuhet se Komisioni pas 62 nënshkrimeve ka bërë verifikimin e fletënënshkrimve dhe verifikimin e delegatëve të ligjshëm dhe verifikimin e procedurave të tjera statutare dhe normative.
Pas verifikimit të nënshkrimeve është konstatuar që nënshkrimet e FC Prishtinës, KF Ulpiana 1926 dhe KF Kika kanë qenë kontestuese.
Në njoftim thuhet po ashtu se ky vendim i është dërguar Komitetit Ekzekutiv, i cili edhe e ka aprovuar këtë vendim më 22 mars 2022. Ky vendim do t’i përcillet të gjithë delegatëve të Kuvendit të FFK-së, për procedim të mëtutjeshëm në ditën e mbajtjes së mbledhjes së rregullt të Kuvendit më 6 prill 2022.
Po ashtu, në njoftim thuhet se me këtë vendim janë informuar edhe kandidatët për kryetar të FFK-së, ku për çfarëdo paqartësie ose mospajtimi janë udhëzuar me këshillën juridike.
Po ashtu, është thënë se me këtë vendim do të informohen organet përkatëse të UEFA-së dhe FIFA-së, të cilët monitorojnë punën e federatave anëtare, si dhe gjithashtu do të informohet MKRS-ja.
Këtu mund ta gjeni të plotë vendimin.