Komisioni për Buxhet miraton kërkesën për kredi për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë

Me 9 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër dy projektligjeve që i hapin rrugë investimeve milionëshe për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë.

Projektligji i parë është për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati që bëri prezantimin e këtij projektligji para komisionit, tregoi për vlerën financiare të marrëveshjes.

“Marrëveshja kap vlerën 13.5 milion euro, si dhe një grand në vlerë prej 5 milion euro. Objektivi është ndërtimi i impiantit të ri si dhe rehabilitimin e ujërave të zeza më Mitrovicë dhe Vushtrri. Ky projekt do të mbuloj 123 mijë banorë”, tha ai.

Deputeti Pal Lekaj, anëtarë i Komisionit nga AAK kërkoi të dijë se kur do të implemetohet kjo marrëveshje.

Hekuran Murati tha se aktualisht nuk kanë ndonjë problem për të filluar me punë.

“Ka pas shumë projekte të cilat pastaj kanë ngecur, jemi siguruar si qeveri që të kemi fleksibilitetin e nevojshëm për hapësirën e nevojshme fiskale. Data për përfundim parashihet të jetë viti 2026”, tha ai.

Projektligji i dytë është për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Ministri i Financave tha që edhe kjo kredi është për projektin e njëjtë.

“Bëhet fjalë për projektin e njëjtë, kap vlerën prej 19.8 milionë euro, dhe është investim i përbashkët me BERZh”, tha ai.

Projektligjet në fjalë janë miratuar nga kabineti qeveritar më 23 mars të këtij viti.

Miratohen dy projektligje për t’i hapur rrugë investimeve në vlerë 38 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë