Qeveria Kurti- Foto:ZKM

Miratohen dy projektligje për t'i hapur rrugë investimeve në vlerë 38 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë

Kabineti qeveritar ka marrë vendim që të miratoj dy projektligje marrëveshje projektin e impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë

Projektligji i parë është për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Ndërsa projektligji i dytë është për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha që këto marrëveshje të ndryshme por janë për të njëjtin projekt.

“Bëhet fjalë për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza që do të përfshinë regjionin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë dhe parashihet të mbulojë diku rreth 123 mijë banorë. Këto dy projekte kanë ndjekur të gjitha procedurat që parashihen me Kushtetutë dhe me Ligjin për marrëveshje ndërkombëtare, i kemi nënshkruar si ministri dhe tani po i procedojmë përmes qeverisë në Kuvend për ratifikim”, theksoi ai.

Murati tha se vlera e këtij projekti është rreth 38 milionë euro, ku 5 milionë nga to do të jenë grant.

“Vlera totale e projektit është rreth 38 milionë euro, ku rreth 33 milionë euro do të jenë nga Banka Evropiane për Investime  dhe BERZH, kurse rreth 5 milionë euro do të jenë grant. Pra nga Banka Evropiane për Investime kredia do të jetë në vlerë prej 19.8 milionë euro kurse nga BERZH është 13.5 milionë euro”,  tha ai.

Pas miratimit në qeveri, këto marrëveshje do t’i shkojnë në votim deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për t’u miratuar këto marrëveshje duhet 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.