
Aktori Russell Brand. Foto: Facebooku i komedianit
Komediani Russell Brand akuzohet për dhunim seksual
Russell Brand është akuzuar për “përdhunim”, “sulm të pahijshëm” dhe “sulm seksual” ndërmjet viteve 1999 dhe 2005 – raporton të premten, më 04.04.2025 televizioni britanik BBC.
Akuzat lidhen me katër gra.
Komediani dhe aktori është marrë në pyetje disa herë nga Policia, qëkur një hulumtim i mediumeve Sunday Times, Times dhe Dispatches e Channel 4, në shtator 2023, zbuloi akuza të shumta serioze kundër tij.
49-vjeçari më parë i ka mohuar akuzat, duke i quajtur “tepër lënduese” dhe duke thënë se marrëdhëniet e tij kanë qenë “gjithmonë konsensuale”.
Në një deklaratë të shkurtër, Policia Metropolitane ka deklaruar se i kishte shkruar Brandit që ta informonte se po akuzohej për “përdhunim”, për “sulm të pahijshëm”, për “përdhunim oral” dhe për dy akuza të tjera për “sulm seksual”.
Policia ka njoftuar se pretendohet se:
– Në vitin 1999, një grua u përdhunua në zonën e Bournemouthit.
– Në vitin 2001, një grua u sulmua në mënyrë të pahijshme në zonën Westminster në Londër.
– Në vitin 2004, një grua u përdhunua oralisht dhe u sulmua seksualisht në zonën Westminster në Londër.
– Midis 2004 dhe 2005, një grua u sulmua seksualisht në zonën Westminster në Londër.
Brandit i është thënë të paraqitet në Gjykatën e Westminsterit më 2 maj, por besohet se ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara.
Në këso situatash ku një i dyshuar mund të jetë jashtë shtetit, prokurorët provojnë të arrijnë ujdi për kthimin e të pandehurit. Nëse nuk ka bashkëpunim nga i dyshuari, atëherë autoritetet shqyrtojnë Kërkesën për ekstradim.
Jaswant Narwal, nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës, ka deklaruar: “Ne kemi autorizuar sot Policinë Metropolitane të akuzojë Russell Brandin për një sërë veprash seksuale”.
“Ne i shqyrtuam me kujdes provat pas një hetimi policor për pretendimet e bëra pas transmetimit të një dokumentari të Channel 4, në shtator 2023.” – ka theksuar ai. “Ne kemi arritur në përfundimin se Russell Brand duhet të akuzohet – duke përfshirë përdhunimin, sulmin seksual dhe sulmin e pahijshëm. Këto kanë të bëjnë me shkelje të raportuara ndërmjet viteve 1999 dhe 2005, ku përfshihen katër gra.”
“Prokuroria e Kurorës ua kujton të gjithëve se procedimet penale janë aktive dhe i pandehuri ka të drejtën e një gjykimi të drejtë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos ketë raportime, komente apo shkëmbime informacioni në internet që nuk mund të paragjykojnë në asnjë mënyrë këto procese.” ka theksuar Narwal.
Mbikëqyrësi i detektivëve të Policisë Metropolitane, Andy Furphy, i cili drejton hetimin, ka deklaruar: “Gratë të cilat kanë raportuar rastet vazhdojnë të marrin mbështetje nga oficerë të trajnuar posaçërisht”.
“Hetimi i Policisë Metropolitane mbetet i hapur dhe detektivët i kërkojnë kujtdo që është prekur nga ky rast, ose kujtdo që ka ndonjë informacion, të ofrohet dhe të flasë me Policinë. Një ekip i dedikuar hetuesish është i disponueshëm përmes e-mail-it në CIT@met.police.uk.” – ka deklaruar ai.
“Mbështetja është gjithashtu e disponueshme, duke kontaktuar bamirësinë e pavarur Kriza e Përdhunimit në Linjën e Mbështetjes së Përdhunimit dhe Abuzimit Seksual 24/7.” – ka shtuar Furphy.
Brand rroku famën e madhe me komedi stand-up, përpara se të kalonte të transmetuara – duke përfshirë programe televizive dhe radio kombëtare.
Karriera e tij përfshinte organizimin e emisioneve radiofonike në BBC, veçanërisht për 6 Music and Radio 2, ndërmjet viteve 2006 dhe 2008.
Ai drejtoi gjithashtu programe televizive në Channel 4 dhe luajti në filma hollivudi.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com