Si i kërcënonte viktimat admini i grupit "AlbKings"?
Administratorët e grupit “AlbKings”, të cilët menaxhonin me grupin me mbi 100 mijë anëtarë, akuzohen nga Prokuroria se lejonin dhe shpërndanin foto e video me përmbajtje denigruese për gratë dhe vajzat – sipas Prokurorisë.
Admini i grupit E.N., i akuzuar në këtë rast, përshkruhet në Dosjen e Prokurorisë të ketë kërcënuar njërën nga viktimat, duke i thënë: “Unë kam vra njeri. Kam bërë krime të rënda dhe nuk kam dhembshuri për askënd… I ki 2 minuta kohë”.
Deklarime me këto përmbajtje ishin drejtuar ndaj njërës viktimë, duke e kushtëzuar të njëjtën që t’i dërgojë pamje me përmbajtje eksplicite.
Kushtëzimi ishte se në rast se nuk përmbushet kërkesa e tij, fotografitë e mëhershme që i posedonte E.N., do t’i shpërndante te personat e tretë.
Ai po akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të shtrëngimit.
I akuzuari E.N., në deklarimin e dhënë para organeve të rendit, kishte thënë se është munduar t’i ndihmojë viktimës duke intervenuar te dikush që të fshihen fotografitë e videot të cilat më parë ishin shpërndarë.
E.N. është duke u ngarkuar për dy vepra penale: “shtrëngim” dhe “shantazh”.
Së bashku me të akuzuarin E.N., i akuzuar është edhe F.P..
Të akuzuarit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Shtetit.
Seanca e parë gjyqësore ishte paraparë të mbahet më 30.01.2025, por që e njëjta ishte pamundësuar. Pasi në seancë nuk ishin paraqitur të akuzuarit e këtij rasti.
Sipas njoftimit të Gjykatës, në seancë nuk ishte paraqitur i akuzuari F.P., i njohur me nofkën si “Lideri”, pasi i njëjti ishte urdhëruar të sjellet në seancë nga Policia, kurse i akuzuari i dytë E.N. nuk kishte ardhur në Gjykatore, pasi gjyqtari kishte njoftuar se nuk është pranuar Fletëkthesa nga Posta e Kosovës, për ftesën që i është dërguar të akuzuarit për pjesëmarrje në seancë.
“Ju njoftojmë se çështja penale me numër P.nr.15/25 është caktuar të mbahet më 30.01.2025. Gjykata ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës dëgjimore, pasi që në seancë nuk janë prezantuar i pandehuri F. P., për të cilin Gjykata më 23.01.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje të të pandehurit për seancë, më 30.01.2025, për Policinë e Kosovës në Gjilan. Policia e Kosovës në Gjilan përmes e-malit e ka konfirmuar pranimin e Urdhëresës së Gjykatës dhe të njëjtit më 30.01.2025 përmes telefonit e kanë njoftuar Gjyqtarin e Çështjes se mund të vonohen në sjelljen e të pandehurit për në seancë deri në ora 10:00, për shkak të angazhimeve operative të tyre. Gjithashtu, në këtë seancë ka munguar edhe i pandehuri E. N., për të cilin Gjykata ka përcjellë ftesë të rregullt, mirëpo deri në kohën e mbajtjes së seancës nuk ka pranuar Fletëkthesën nga Posta e Kosovës, për të konstatuar nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës, më 03.02.2025.
Materialet e shpërndara në këtë grup ishin kryesisht private.
Publikimet e natyrës së tillë ishin normale në këtë grup, ndërsa administratorët lejuan që edhe numra të telefonave të shpërndaheshin në këtë rrjet.
Anëtarë të grupit do të shpërndanin numrat e telefonit të vajzave me mbishkrime, se të njëjtat janë prostituta apo ofrojnë shërbime seksuale me pagesë.
Viktimat ishin nga të gjitha moshat.
Pse është ilegale veprimtaria e “AlbKings”?
Çdo numër personal apo e dhënë personale e dikujt që shpërndahet pa aprovimin paraprak të personit konsiderohet vepër penale, ndërsa çdo kërkesë që nuk aprovohet të mos shqetësohet dikush konsiderohet “ngacmim”.
Prokurorja e cila është pjesë e ekipit për hetimin e grupit “AlbKings”, Elza Bajrami Kastrati, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, më 02.06.2024, kishte dhënë detaje në lidhje me rastin – duke bërë të qarta edhe veprimtaritë ilegale, që mund të kryejnë personat përmes këtij grupi.
“Prokuroria e Prishtinës ka nisur me u marrë me këtë rrjet, për shkak të informacioneve që kemi marrë fillimisht nga portalet vendore, që është kriju një grup në Telegram dhe në të cilin po postohen, video, fotografi dhe të dhëna të personave, kryesisht të gjinisë femërore dhe këto video e fotografi janë të ndjeshme, intime të këtyre personave. E, gjithashtu emrat, mbiemrat, numrat kontaktet e tyre, me ç’rast ka krijuar shqetësim te personat e prekur.” – kishte thënë prokurorja, Bajrami Kastrati për KALLXO.com
KALLXO.com kishte filmuar momentin e arrestimit të njërit prej të akuzuarve në rastin “AlbKings”.