Ekstradohet nga SHBA në Shqipëri i kërkuari për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit shtetëror

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë shtetasin shqiptar F. L., 56-vjeç, i shpallur person në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, i kërkuari F.L. është ekstraduar në Shqipëri gjatë ditës së sotme (06.03.2025).

Po sipas njoftimit, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në koordinim me Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Agjencinë Federale DSS/OCIU, prezente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë në Shtetet e Bashkuara, një shtetas shqiptar, në kërkim ndërkombëtar, me urdhër arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Shtetasi shqiptar F. L., 56 vjeç,  ish-oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ishte në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Shtetasi F. L. u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme. Ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane”- thuhet në njiftim.

Policia e Shtetit falënderon partnerët ndërkombëtarë të agjencive federale amerikane DSS dhe ICE-ERO për gjithë punën dhe përkushtimin maksimal në këtë operacion ekstradimi/deportimi.