Klienti nënshkroi kontratën më 28 dhjetor, Mehmeti: Klientët nuk u njoftuan paraprakisht për heqjen e kanaleve televizive

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, ka njoftuar sot se qytetarët nuk janë njoftuar paraprakisht se në pakon e kanaleve televizive do të ketë ndryshime të kanaleve.

Sipas Mehmetit, bazuar në ankesat që kanë pranuar, një qytetar ka nënshkruar kontratë më 28 dhjetor, katër ditë para se të skadojë e drejta për shfrytëzimin e kanaleve nga Digitalb.

“Qytetarët ankohen se janë ballafaqur me reklamime mashtruese nga operatorët e shpërndarjes të cilët është dashur ta dijnë që pas 1 janarit nuk do t’i kenë në dispozicion të drejtat për transmetimit të televizioneve ose pako të Digitalb. Dhe megjithatë, operatorët kanë ofruar kontrata për qytetarët duke mos i vënë në dijeni një lloj i shërbimit që ata e kanë reklamuar, do të përfundojë që nga 1 janari” – ka deklaruar Mehmeti në mbledhjen e KPM-së.

“Kontrata e fundit që është nënshrkuar është më 28 dhjetor 2023, vetëm dy-tre ditë para se të drejtat për shfrytëzimin e kanaleve të skadojë. Po ashtu në ankesat e qytetarëve, kemi të bëjmë me mosnjoftim me kohë të qytetarëve siç e parasheh rregullorja, se 30 ditë më herët duhet të njoftohen qytetarët se diçka ka ndryshuar në pakon që ata kanë paguar” – ka thënë Mehmeti në mbledhjen e sotme të KPM-së.

Komisioni i Pavarur për Media ka gjobitur më 64 mijë euro operatorin ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatorin kabllor ‘Kujtesa’, me 7 mijë euro operatorin ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro operatorin ‘Telkos’.

Kjo pas ankesave të qyetarëve ndaj këtyre operatorëve, të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve pa paralajmërim.

Në fillim të janarit kanalet e “Digitalb” që transmetoheshin në Kosovë përmes operatorëve kabllorë, kishin ndaluar transmetimin për shkak se siç u tha nga kompanitë, kishte përfunduar marrëveshja në mes palëve.

Qytetarët kishin raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.