Foto: KALLXO.com

KFOR: Po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) bëjnë të ditur se janë duke monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës.

KFOR bën të ditur se që nga tetori kanë shtuar prezencën edhe me trupa shtesë dhe me patrullime në këtë javë.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësi të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovë, nën mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Që nga tetori, ne kemi përforcuar praninë, duke përfshirë edhe me trupa shtesë dhe patrullime në veri të Kosovës këtë javë”- thuhet në njoftim.

KFOR thotë se pret nga të gjithë aktorët që të koordinohen ngushtë me të dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve

Gjithashtu, KFOR u ka bërë thirrje palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.

“Ne presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne ju bëjmë thirrje që të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”- shkruan KFOR.

Sot është dita e gjashtë që nga vendosja e barrikadave në veriun e Kosovës, gjë që ka bërë që edhe pikat e kalimit kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak të mbyllen.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.