Walker vlerësohet nga Kurti për kontributin në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë
Në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim diplomatin amerikan, William Walker, të cilin e ka vlerësuar për kontributin që ka dhënë për dokumentimin e krimeve që po kryheshin në Kosovë gjatë periudhës së luftës 1998-1999.
“Në këtë takim miqësor, Kryeminisri Kurti ritheksoi mirënjohjen për mikun e madh të Kosovës e të vërtetës, ambasadorin William Walker”- thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, më 13.06.2024.
Kurti, siç thuhet në komunikatë, e ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e Misionit Verifikues të OSBE-së që gjatë periudhës tetor 1998 deri në mars 1999, dokumentuan dhe dëshmuan krimet e rënda që po kryheshin nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
Kryeministri ka theksuar poashtu se raportimet nga terreni ishin thelbësore për ta treguar të vërtetën dhe për ta siguruar mbështjetjen ndërkombëtare dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Ndërkaq, ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, pas takimit që mbajti me Kurtin, para mediave është shprehur se “Kosova është një histori e pabesueshme suksesi” dhe se meritat për këtë i takojnë vetë popullit të Kosovës.
Walker në vitin 1999 kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut e cila ishte kryer nga forcat serbe më 15.01.1999.
Walker: Kosova është histori suksesi, meritat i takojnë popullit