Kevin McCarthy, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, shkarkohet nga detyra

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara Kevin McCarthy u rrëzua nga detyra të martën në një përballje të jashtëzakonshme – e para në historinë e SHBA-së, e detyruar nga një kontigjent konservatorësh të djathtë dhe duke e futur Dhomën e Përfaqësuesve dhe udhëheqjen e saj republikane në kaos.

Ky votim është fundi i linjës politike për McCarthy, i cili ka thënë vazhdimisht se nuk dorëzohet asnjëherë, por e gjeti veten pothuajse pa asnjë opsion. As republikanët e krahut të djathtë që e projektuan rrëzimin e tij dhe as demokratët që u grumbulluan nuk duken të hapur për të negociuar.

McCarthy u tha ligjvënësve në mbrëmje se nuk do të kandidonte më për kryeparlamentar. Hapat e ardhshëm janë shumë të pasigurt pa asnjë pasardhës të dukshëm për ta udhëhequr shumicën republikane të Dhomës. Deri në javën e ardhshme republikanët do të përpiqen të zgjedhin një kryetar të ri.

“Mund ta kem humbur këtë votim sot, por ndërsa po largohem nga kjo dhomë ndihem me fat që kam shërbyer”, ka deklaruar McCarthy në një konferencë për media në Kapitol Hill, duke alternuar mes vlerësimit optimist për fjalimin e tij dhe vlerësimit të zemëruar të atyre që e rrëzoi atë.

Megjithatë, ka shtuar McCarthy “unë nuk do të ndryshoja asgjë”.

Rivali kryesor i McCarthy, deputeti Matt Gaetz i Floridës, e orkestroi votimin e rrallë mbi “mocionin për shkarkim” dhe e shtyu këtë mocion përpara me shpejtësi në një thirrje dramatike pasdite.

Ndërsa McCarthy gëzonte mbështetjen e shumicës së republikanëve në shumicën e tij të pakët, tetë kritikues republikanë – shumë nga të njëjtët e djathtë që u përpoqën ta ndalonin atë të bëhej kryetar në janar – në thelb e detyruan atë të largohej.

Votimi ishte 216-210, duke thënë se zyra e kryetarit “shpallet vakante”.

Pak çaste më vonë, një aleat kryesor i McCarthy-t, Rep. Patrick McHenry, R-N.C., sipas rregullave të Dhomës, u emërua kryetar pro tempore, për të shërbyer në zyrë derisa të zgjidhej një kryeparlamentar i ri.

Dhoma e Përfaqësuesëve më pas u tërhoq me shpejtësi ndërsa ligjvënësit u takuan privatisht për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje të re./AP

Përgatiti: Nuhi Shala