Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Osmanit për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për grupet më të mëdha parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës së Presidentes për interpretim të paqartësive kushtetuese bazuar në paragrafin 9 të nenit 84 të Kushtetutës dhe kërkesën përkatëse për përgjigjen në katër (4) pyetje të parashtruara para Gjykatës dhe të cilat do të reflektohen në tërësi në Aktvendimin për Papranueshmëri që do të publikohet në përputhje me rregullat procedurale në ditët në vijim, Gjykata konstatoi që kërkesa e Presidentes është e papranueshme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata vlerësoi se në rrethanat e këtij rasti është plotësuar kriteri i parë kushtetues, sepse kërkesa është dorëzuar në Gjykatë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, si njëra nga tri palët e autorizuara.

“Megjithatë, Gjykata konstatoi se kriteri i dytë kushtetues në kontekst të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, nuk është plotësuar, sepse siç ka sqaruar Gjykata në rastet KO131/18 dhe KO181/18, konflikti i supozuar duhet të burojë nga kompetencat kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë për palët e autorizuara”, thuhet në njoftim.

“Në rrethanat e rastit konkret, për dallim nga nenet 84 (26), 139 (3) dhe 139 (4) të Kushtetutës, e të cilat përcaktojnë kompetencën kushtetuese të Presidentes për emërimin e Kryesuesit të KQZ-së dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve të këtij të fundit, kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht me pikën (a) të paragrafit 3 të nenit 61 të tij”, theksohet në njoftimin e Gjykatës.

Presidentja emëroi tetë anëtarë të KQZ-së