Deputetët e LDK-së e LVV-së debatojnë se kush ka privilegj në testime për COVID-19

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntinë Maloku Kastrati , ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se kanë qenë ata të priviligjuarit për kryerjen e testit për COVID-19.

Maloku Kastrati në seancën parlamentare me të vetmen pike të rendit të ditës, raportimi i Kryeministrit Avdullah Hotit për menaxhimin e pandemisë a, tha se kabineti i ish Kryeministrit Kurti, janë testuar për pikë të qefit.

“Duhet të shqyrtohet mundësia e licensimit të klinikave private për kryerjen e testeve me një çmim të përballueshëm për qytetarët. Sa i përket deklaratave të kolegëve nga LVV, se gjoja deputetët e LDK-së  kanë qenë të priveligjuar sa i përket mundësisë për tu testuar, qytetarët duhet ta dinë se deputetët e LDK janë testuar së bashku më të gjithë deputetet e të gjitha partive sepse sekretari i Kuvendit dhe shefi i grupit parlamentar të LDK kishin dalë pozitiv”, tha ajo.

Ajo po ashtu kritikoi ish- kabinetin e qeverisë Kurti për testim “për pikë të qejfit”.

“Zyrtarët e parë të priveligjuar për testim, e përsëris të privilegjuar, kanë qenë zyrtarët e lartë të LVV-së. Për pikë të qejfit, kabineti i ish- Kryeministrit Kurti, të gjithë ministrat e LVV-së janë testuar kur ka filluar pandemia e kur  qytetarët nuk e kanë pasur as të voglën informatë se çfarë është virusi”, tha ajo.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar, Artan Murati  nga LVV, i cili ka thënë se anëtarët e Lidhjes Demokratike po testohen së bashku me familjarë, duke mos pasur fare simptoma.

“ Përveç deputetëve, kemi pasur edhe anëtarë të tjerë të LDK-së ku edhe familjarët e tyre janë testuar kur kanë pranuar se nuk kanë pasur simptoma, ndërkohë qytetarëve iu thuhet hajt shkoni vetizolohuni se nuk kemi teste”, ka theksuar Murati.