Këshilli i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë rëndësi për administratën Trump

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Shtëpinë e Bardhë bashkë me të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Richard Grenell dhe me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC) përmes një postimi në Twitter rreth këtij takimi ka shkruar se marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë rëndësi të madhe për administratën Trump.

“Dje, O’Brien dhe Grenell kanë takuar presidentin e Serbisë dhe presidentin e Kosovës. Marrëdhënia Kosovë-Serbi është e rëndësisë së madhe për administratën Trump”, thuhet në publikimin e tyre, të martën.

Presidenca i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që presidentit Thaçi t’i organizohet një seancë më 4 mars, për t’i njoftuar deputetët në lidhje me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet që ka mbajtur atje.

“Në shkresën zyrtare drejtuar Sekretarit të Kuvendit, Sekretari i Presidencës ka kërkuar që të bëhen të gjitha përgatitjet për mbajtjen e një seance në lidhje me këtë çështje. Presidenca kishte shprehur gatishmërinë e presidentit Thaçi që ai t’i drejtohej Kuvendit edhe në fund të vitit të kaluar, siç parashihet me Kushtetutë, mirëpo kjo seancë nuk ishte organizuar, pasi që Kuvendi nuk ishte plotësisht i konstituuar”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Më tej bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite, Thaçit i është bërë e qartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në institucionet e tjera të larta në Uashington, se duhet të hiqet tarifa plotësisht në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes finale dhe përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Thaçi kërkon t’u flasë nesër deputetëve për takimin me Vuçiqin

 

Ndërkaq, KALLXO.com raportoi më herët se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Po ashtu, Kurti ka biseduar edhe me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.

Burime nga zyra e kryeministrit Kurti kanë thënë për KALLXO.com se shefi i Qeverisë nuk ka mundur t’u përgjigjet thirrjeve telefonike që kanë ardhur mbrëmë rreth mesnatës nga Ambasada amerikane.

“Mbrëmë kur e kanë kontaktuar rreth mesnatës nga ambasada amerikane nuk ka mundur të përgjigjet, por atë bisedë e ka zhvilluar para një ore e gjysmë. Pra, me ambasadorët O’Brien dhe Grenell”, kanë thënë për KALLXO.com nga Zyra e kryeministrit Kurti.

 

Kurti ka biseduar me Grenell dhe O’Brien