Barrikada në Rudarë - Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kërkesat dhe përfitimet e serbëve nga barrikadat

Në ditën e 20-të të vendosjes së tyre, kamionët që shërbenin për bllokimin e rrugëve, janë ndezur dhe ka filluar largimi i barrikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës.

Largimi i tyre ka ardhur pas takimit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mbajtur mbrëmë në Rashkë me serbët e veriut të Kosovës, ku u premtua që brenda 24 deri në 48 orë do të larohen 13 barrikadat e vendosura në rrugët në veri të vendit.

Ai paraprakisht tha se është dhënë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nisjes së largimit të barrikadave reagoi duke thënë se serbët “vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”.

Por deri te nisja e heqjes së automjeteve të rënda, të cilat bllokuan rrugët në veri, serbët patën kushte, disa prej të cilave u plotësuan.

Kushtet e serbëve për heqjen e barrikadave

10 ditë pas vendosjes së barrikadave, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një video nga Rudarë dërgoi një porosi për kryeministrin Albin Kurti, duke numëruar se cilat janë kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Kjo erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti në lidhje me situatën në veri të Kosovës, ku ka thënë se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që duan të jenë të kujdesshëm.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat (pasojat)” – tha ai. “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë” – ka deklaruar Kurti për “The Guardian”.

Ndërsa, për heqjen e barrikadave ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova i ka kapacitetet për largimin e barrikadave por kryeministri i Kosovës ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e tyre.

Për zhbllokimin e rrugëve, kërkesa e parë e serbëve ishte lirimi i ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i cili u arrestua nën dyshimin se ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Lirimi i Pantiqit erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, e cila kërkoi masën e  arrestit shtëpiak pë të duke u bazuar në aspektin shëndetësor e human.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Lirimin e tij e theksoi presidenti serb Vuçiq mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, ku zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.

Vuçiq tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Në këtë takim ai tha se kërkesa e dytë është që njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht.

Që serbët e Kosovës të mos arrestohen dhe ndiqen penalisht për bllokimin e rrugëve, SHBA dhe BE-ja konfirmuan se Kosova nuk ka listë të serbëve dhe nuk do të arrestohen dhe ndiqen penalisht për vendosjen e barrikadave.

“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet” – thuhet mes tjerash në deklaratën e përbashkët të SHBA-së dhe BE-së.

Historiku i tensioneve të fundit në veri

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i cili parashihte masa të reja për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale (serbe), ishte pikënisje e një serë ngjarjesh që pasuan në veri të Kosovës.

Katër ditë pas fillimit të fazës së parë të këtij vendimi, e cila parashihte qortimin, serbët më 5 nëntor braktisën institucionet e Kosovës.

Dorëheqjet nga institucionet e nivelit qendror, lokal dhe ato të gjyqësorit, erdhën pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Drejtorisë Mitrovica Veri të Policisë së Kosovës, për shkak të refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale serbe.

Pas këtyre dorëheqjeve, katër komunat në veri mbetën edhe pa kryetarë ndërsa pak ditë më pas presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori vendim për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri. Data e zgjedhjeve u vendos 18 dhjetori.

Më 6 dhjetor, në ditën kur ishte e planifikuar që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunal së bashku me zyrtarë të KQZ-së, Ministrisë së Pushtetit Lokal të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe, u sulmuan zyrat e KKZ-së.

Katër ditë më pas, për këto sulme ku u hodh edhe ‘shock-bomba’, Policia e Kosovës ndaloi në pikën kufitare në Jarinjë ish-zyrtarin policor, ish-pjesëtarin e MUP-it, i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Në shenjë refuzimi ndaj arrestimit të Dejan Pantiq, nën tensionet e krijuara në veri ditëve të fundit, serbët vendosën prapë barrikadat në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Ditë pas dite, barrikadat shtoheshin në rrugët e veriut, ndërsa si pasojë e këtyre pengesave u mbyllën edhe dy pikë kalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, ajo në Bërnjak dhe në Jarinjë.

Më 19 dhjetor kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se për situatën në veri janë në koordinim të plotë me KFOR-in.

“Ne jemi në koordinim, komunikim të rregullt, të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-in dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla por mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundi është fillimi i fazës së fundit të tyre” – tha Kurti.

KFOR-i vazhdimisht konfirmonte se e ka rritur prezencën dhe patrullimet në muajt e fundit, duke kërkuar nga palët që të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë.

Gati tri javë pas vendosjes së barrikadës së parë, serbët filluan heqjen e makinerive të rënda të cilat i kishin vendosur në mes të rrugëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës. Sipas tij, është më mirë që ato po hiqen pa ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar pasi ka nisur heqja e barrikadave në Rudarë.

Borrell ka thënë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirë se vini në lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti” – ka shkruar Borrell në Twitter.